Kështu, Krasniqi është shprehur se tashmë është koha për debate politike midis Berishës, Ramës, Topit, Metës për të shpalosur secili platformat e partive që përfaqësojnë dhe jo për monologje e dialogje salloni thjeshtë për të thënë batuta.
Ndërsa Hoxha nuk ka munguar të shprehet se u duk sikur u rishfaq Edi Rama i qëmotshëm, batutaxhi i thekur e ritmik, ndonëse në përmbajtje ishte njësoj si më parë dhe për më tepër shihte si “armiq” moderatorin dhe zëdhënësen e PD.
Kryetari i PS në një intervistë në “Opinion” u shfaq ndryshe. Si ju duk performanca e tij për çështjet për të cilat u pyet?
Afrim Krasniqi, analist: Paraqitja e kryetarit të PS në debatin televiziv në TV Klan shënoi dy cilësi: e para se shënon fillimin e fushatës elektorale me një ton të ri mediatik e politik, shumë më agresiv se sa në fushatat e fundit elektoralale.
E dyta se PS pranoi synimin e saj për mandat qeverisës nën garancinë e një partneri të ri të mundshëm për të krijuar mazhorancen e nevojshme duke ofruar dy mundësi të kundërta, opsionin e një koalicioni "shpëtimi" publik në "interes qytetar" me parti me program të ndryshëm politik, si dhe opsionin me modelin e LSI, që është një model negativ të qeverisjes aktuale.
Pavarësisht nga tonet e debateve të tilla mësimi kryesor që del prej tij është se ka ardhur koha që në Shqipëri të ketë debate reale midis kandidatëve kryesorë për kryeministër, pra debate televizive ku kandidatët debatojnë e gazetarët moderojnë, jo situata surreale ku gazetarët marrin përsipër të bëjnë kandidatin rival për kryeministër.
E vlerësoj pozitive ftesën për një debat televiziv midis zotit Rama e zotit Berisha, por do doja që për një debat të plotë dhe përfaqësues të merrnin pjesë në debate të tilla televizive dhe politikanë me pritshmëri përcaktuese politike, si z.Topi i FRD apo partnerë përcaktues të mazhorancës aktuale si z.Meta.
Qytetarët kanë të drejtë të shohin politikanët e tyre të debatojnë direkt dhe jo me të deleguar. Ata kërkojnë alternativa konkrete për zgjidhjen e problemeve të tyre, jo monologje apo dialogje salloni e rruge, siç u panë dhe në emisionin e fundit televiziv.
Artan Hoxha, analist: Po. Ishte një performancë ndryshe nga stili i tij i viteve të fundit. Edi Rama, në intervistat në mediat, kryesisht të majta, këto vitet e fundit ka ndjekur stilin e të folurit të ngadaltë si ai "i plakut n'votër", në ritëm ama, e jo në thellësinë e mendimeve.
Ndërkaq, mbrëmë u duk sikur u rishfaq Edi Rama i qëmotshëm, batutaxhi i thekur e ritmik, ndonëse në përmbajtje njësoj si më parë. Ndoshta janë ankthet e zgjedhjeve që po afrojnë, ndoshta është mënyra se si e sheh ai TV Klan, si të ishte "strofulla e ujqërve ku ai po hynte me guxim" e po ia përplaste në sy "të ngjashmëve të Saliut" e që shihte sa te Blendi Fevziu, sa te Laura Vorpsi.
E këtu, ndërsa kërkonte që politika të mos sillej si llaxore, bëri të kundërtën me ç'ka kërkonte. Këtë sjellje-bëni si them unë e mos bëni si bëj unë-e ka të zakonshme. Në këtë performancë të shkëlqyer batutash jo vetëm që nuk qartësoi se ç'premton dhe si do t'i realizojë premtimet por ekspozoi disa pika të dobta që i lënë vend analizës profesionale mbi absurdet e "Rilindjes Shqiptare".
Mendoni se dha garanci shtesë për qytetarët në mënyrë që ti bindë ata për t’i dhënë votën më 23 qershor?
Artan Hoxha: Qytetarët mund edhe të zbavitten me batutat e një emisioni televiziv por s'është kjo që ata presin nga politikanët. Për zbavitje ka programe humoristike, filma komikë dhe mënyra të tjera.
Qytetarët duan nga politikanët në radhë të parë të dinë si do të adresohen problemet konkrete, me objektiva konkrete e me mënyra konkrete të arritjes së tyre. Kjo Ramës i mungoi. Batutat, që shijohen në darkë harrohen në mëngjes ndaj s'luajnë rol më 23 qershor.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)