Analisti Mentor Kikia i ftuar në Report Tv komentoi goditjen që SPAK bëri ndaj organizatës kriminale të Suel Çelës, i cili kishte rekrutuar jo vetëm gjyqtaren Pajtime Fetahu, por kishte lidhje edhe me median, si gazetari Artan Hoxha.
Në emisionin ‘Frontline’, Kika thotë se gazetaria ka marrë goditje të jashtëzakonshme, pasi për herë të parë flitet për gazetarë që janë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit. Kikia shprehet se përmes lidhjeve me gazetarët, banda e Suel Çelës ka shfrytëzuar studiot televizive për të influencuar shtetin kundër grupeve të tjera kriminale.
“Të bërit gazetari në kronikën e zezë është zhanri më i vështirë, se ndryshe nga sektorët e tjerë ku burimet të vetëofrohen, në kronikë gazetarit i duhet të bëjnë miqësi me avokatë, prokurorë dhe me njerëz të botës së krimit, duke i përdorur si burim i informacioni. Deri këtu jemi okej me profesionin e gazetarit, janë norma të fiksuara gjeneratë pas gjenerate. Ka një vijë të kuqe që ndan të bërit profesionin e gazetarit nga shërbimi ndaj njerëzve që janë në shkelje të ligjit. Dosja e Elbasanit na shfaqet me një tjetër dimension. Është organizatë tipike e organizuar në mënyrë perfekte, me drejtues, njeri që përgjigjet për financat dhe për herë të parë na shfaqet një organizata kriminale që përdor PR si instrument të mbijetesës, së luftës së saj.
Ja kishin arritur duke kompromentuar në gjirin e tyre kolegë tanët që për periudhë shumë të gjatë kanë qenë ndër gazetarët më në zë të kronikës së zezë. Gazetaria ka marrë një goditje të jashtëzakonshme, për herë të parë flitet për gazetarë që janë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit. Kanë shërbyer me strukturë PR duke shfrytëzuar studiot për të influencuar shtetin kundër grupeve të tjera kriminale dhe zgjeronin rrethin e tyre të veprimit. Mungon dimensioni i politikës, pa mbështetjen e politikës nuk do kishin shkuar asnjëherë deri aty”, tha Kikia në Report Tv.
Gazetarja Glidona Daci ndërsa dha detaje nga akuzat e ngritura nga SPAK, thotë se kjo dosje nuk do mbyllet me kaq. Sa i takon Çelës, thekson se nuk është një person i lehtë për t’u kapur, ndërsa është në kërkim prej vitesh.
Suel Çela një personazh i shumë anatemuar, mënyra se si kërkonte të ekzekutonte Ardian Çapjën, e vëzhgonte me kamera statike. Gjatë atij atentati kemi pasur pikëpyetje nga ku u qëllua, është dashur disa orë për të kuptuar që ishte qëlluar në një distancë shumë të largët nga kodra e krastës. Kemi edhe çështjen e trafiku të drogës, kemi edhe gjykatën e Elbasanit. Suel Çela në kërkim ndërkombëtar për dosjen Plumbi i Artë. Suel Çela nuk është i lehtë për t’u kapur, kërkohet prej vitesh, e vështirë të vihet në pranga për shkak të njohjeve. Shihet se sa ndikim ka. Kishte informacion për çdo gjë që ndodhte. Nuk do mbyllet me kaq, vazhdon hetimi në mënyrë intensive nga SPAK, Autoritet belge janë të interesuar, vëllai i Suel Çelës është arrestuar në Itali i ekstraduar në Belgjikë. Tashmë kërkohet edhe nga drejtësia jonë.