Analisti gjerman: Vetëvendosja të mos injorojë shansin unik për dialogun Kosovë-Serbi

Analisti gjerman: Vetëvendosja të mos injorojë shansin unik për dialogun Kosovë-Serbi

Flamuri kosovar dhe serb

Deutsche Welle: Fitorja sërishme e Vetëvendosjes në Kosovë është pritur me entuziazëm brenda Kosovës, por me rezerva nga jashtë . Si duhet lexuar rezultati paraprak i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021?

Bodo Weber: Ngjashëm me rezultatin e zgjedhjeve të parafundit në nëntor 2019, pra, në radhë të parë, si një votë e shumicës së qytetarëve të Kosovës kundër strukturave të vjetra dhe të ngurta politike, kundër elitave që e kanë prejardhjen historike në luftën për pavarësi të viteve 1990, kundër korrupsionit, kundër mungesës së një ekonomie të orientuar drejt zhvillimit dhe politikës sociale. Kjo protestë u përforcua nga episodi me rrëzimin e qeverisë Kurti vitin e kaluar dhe faktin që PDK humbi Thaçin dhe Veselin.

DW: Me gjithë fitoren e thellë të Vetëvendosjes shumë vetë mendojnë se as Kurti nuk do ta ketë të lehtë. Ku i shihni ju pengesat e mundshme për një qeveri të qëndrueshme në Kosovë?

Weber: Mbetet të pritet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe i shpërndarjes së ulëseve në parlament. Nëse Vetëvendosja nuk do të arrijë shumicën absolute, ka të ngjarë që të hyjë në koalicion me një pjese të madhe të përfaqësuesve të pakicave joserbe. Interesante do të jenë marrëdhëniet me Listën Serbe. Edhe pse z. Kurti refuzoi në fushatë koalicion me ta, unë nuk do ta përjashtoja një pjesëmarrje indirekte të LS në qeveri, nisur nga pozita e garantuar me kushtetutë e 10 deputetëve të pakicës serbe në parlament. Sa për zgjedhjen e presidentit, nuk besoj se ky problem është zgjidhur me të vërtetë me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.

Një komentues në gazetat gjermane parashikonte se Kurti do t'ia prishë rehatinë politikës së BE-së ndaj Kosovës, Çfarë e pret Brukselin nga Kurti si kryeministër?

Në një farë mënyre, komentuesi ka të drejtë, sepse Kurti dhe Vetëvendosja kanë vizione politike me përmbajtje. Pjesa tjetër e klasës politike e ka dëshmuar se nuk kanë thuajse asnjë qëndrim politik, që nuk është i negociueshëm me poste. Megjithatë, unë nuk shoh ndonjë problem. Qeveria e re do të jetë më e zëshme dhe e drejtpërdrejtë me kritikat legjitime për bllokimin e liberalizimit të vizave. Mbetet të shihet nëse do të realizohen sinjalet e treguara në vitin 2020 se këtë vit mund të jetësohet liberalizimi i vizave. 

Ka gjasa që dialogu me Serbinë të jetë më i vështirë ose potencialisht më konfliktual. Duke pasur parasysh katër vitet e fundit dhe sfidat e pandemisë, është më se e kuptueshme që partia e re në pushtet e deklaron në mënyrë demonstrative se dialogu nuk është përparësi për ta.

Por ajo nuk duhet të injorojë faktin që me ardhjen në fuqi të administratës së Bidenit dhe përfundimin e mandatit të kancelares gjermane Merkel në fund të këtij viti, hapet një dritare kohore ndoshta e unike për të gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë në negociatat me Serbinë. Pra, për të arritur drejt një marrëveshje përfundimtare reale, gjithëpërfshirëse, dhe me njohje reciproke.
Qytetarët e Kosovës votuan për herë të dytë radhazi për një parti alternative. Në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor mungojnë alternativa të tilla. Është rastësi?

Nuk e besoj se është rastësi. Sa i përket gjendjes së demokracisë dhe shtetit të së drejtës, Kosova nuk ka një dallim të madh nga vendet fqinje, por shoqëria aty është shumë më plurale se pjesa tjeter e rajonit, si në politikë ashtu edhe në media. Ndoshta kjo ka të bëjë ndër të tjera edhe me faktin që popullsia është shumë më e re se në vendet e tjera./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen