Alexis Tsipras ka arritur atë që synonte me krijimin e partisë së re Aleanca e Majtë Greke (ELAS), por efekti mund të jetë i përkohshëm. Ky është vlerësimi i analistit grek Sakis Moumtzis në një opinion të publikuar në Kathimerini.

Sipas tij, nga pikëpamja e komunikimit politik, prezantimi i partisë së re ishte i suksesshëm, pasi tërhoqi vëmendje të madhe dhe dominoi debatin publik në Greqi.

Megjithatë, Moumtzis argumenton se vëmendja nuk u përqendrua te idetë apo premtimet e Tsipras.

“Askush nuk i kushtoi vëmendje patriotizmit të ri apo premtimeve për taksimin e pasurisë. Të gjitha këto i kemi dëgjuar më parë. I gjithë diskutimi u përqendrua te emri: ELAS”, shkruan ai.

Analisti vlerëson se edhe reagimet ironike që pasuan tregojnë se strategjia funksionoi.

“Tsipras e dinte se nuk kishte asgjë thelbësisht të re për të thënë. Ai nuk është në gjendje të ofrojë një program politik shumë të ndryshëm nga retorika që zhvilloi gjatë viteve të tij në të majtën”, argumenton Moumtzis.

Sipas tij, lideri i majtë u përpoq për një periudhë të ripozicionohej si figurë e qendrës së majtë, por e braktisi këtë përpjekje pasi kuptoi se një lider nuk mund të ndryshojë audiencën politike pa paguar kosto.

Moumtzis shkruan se Tsipras u shfaq “si një magjistar në skenë” dhe se për rikthimin e tij kishte nevojë për një efekt spektakolar.

Sipas tij, këtë efekt e gjeti te emri ELAS, i cili sjell ndër mend Ushtrinë Popullore Çlirimtare Greke gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe vetë emrin e Greqisë që dëgjohet shpesh në stadiume kur tifozët thërrasin “Ellas, Ellas”.

“Kur rikthimi është spektakolar dhe truku funksionon, ajo që vjen më pas bëhet më e lehtë”, shkruan ai.

Megjithatë, analisti nuk beson se pas zgjedhjes së emrit fshihet ndonjë mesazh i ri politik.

“Nuk besoj se ka ndonjë domethënie më të thellë ideologjike. Repertori është shteruar; ka ndryshuar vetëm titulli i albumit”, shprehet Moumtzis.

Ai shton se ky avantazh komunikimi ka afat të kufizuar dhe se herët a vonë mbështetësit e mundshëm të ELAS do të kërkojnë nga Tsipras diçka ndryshe nga ajo që ofroi në vitet e fundit.

Në këtë kontekst ai citon edhe ish-ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias, i cili ka deklaruar se Tsipras nuk dështoi si kryeministër, por si lider i opozitës dhe argumenton se sfida e vërtetë për Tsipras do të nisë pasi të shuhet efekti i krijuar nga emri i partisë dhe vëmendja të përqendrohet te përmbajtja politike.

Duke iu referuar përrallës së Hans Christian Andersenit për “Mbretin lakuriq”, ai shkruan se në atë histori mjaftoi një fëmijë për të thënë atë që të gjithë e shihnin, por nuk e pranonin.

“Në rastin e Tsipras, ka miliona fëmijë të tillë”, përfundon Moumtzis