TIRANË- Ndonëse ndërkombëtarët janë shprehur se çështjet e rëndësishme në vend i përkasin autoriteteve shqiptare, opozita nuk i ndal sulmet ndaj tyre. Pas sulmeve që PD dhe LSI lidhur me datën e zgjedhjeve, ambasadorët janë sulmuar nga Aleanca për Teatrin dhe PD edhe për qëndrimin që ata po mbajnë për çështjen e Teatrit Kombëtar. Pedagogu dhe aktivisti, Ergys Mërtiri një ndër personazhet i parë krah PD-së për çështjen e Teatrit Kombëtar, ka reaguar pas deklaratave të sotme të ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca i cili tha se kjo është një çështje e vetë autoriteteve shqiptare. Mërtiri ka sulmuar ambasadorin e BE Soreca duke e quajtur atë ambasadoruc që spërdridhet për të dalë në mbrojtje të kryeministrit Rama.

“Një ambasadoruc si Soreca, mundohet të spërdridhet pas fjalëve për të dhënë një përgjigje as mish e as peshk për këtë çështje. Të gjitha pyetjeve për këtë çështje ai iu përgjigj me të njëjtat fjalë: “Çështja është delikate, është e politizuar, dhe duhet parë me kujdes. E rëndësishme është që procedurat e tenderit të bëhen të drejta.”

Që nuk keni turp z. Soreca, këtë e kemi parë që ditën e parë që erdhët në Shqipëri dhe duket se për këtë arsye ju kanë zgjedhur aty, por, mos na shisni pallavra duke investuar në aktivitete kulturore, duke bërë sikur e doni kulturën shqiptare, ndërkohë që heshtni ndaj një prej masakrave kulturore në mes të Tiranës. Ju lutem, mos na shisni përralla. Nëse çështja do parë me kujdes, shiheni! Apo nuk keni aftësi të jeni të kujdesshëm për sa kohë veproni kaq trashë, sa ç’jemi mësuar të të shohim në çdo deklaratë? Jeni ju që po bëni politikë dhe më e keqja, po bëni politikë të shëmtuar. Jeni ju që po spërdridheni duke mos iu përgjigjur drejt pyetjeve mbi teatrin, në mënyrë që helli juaj të mos digjet, ndërsa mishi të piqet. Pikërisht politika juaj e dështuar është një prej duarve që po e shkatërrojnë këtë vend”, shkruan Mërtiri.

Postimi i plotë i Ergys Mërtirit