Ish-deputeti Ervin Salianji, një ditë më parë mbajti në Korçë takimin e radhës me demokratët ku pati mesazhe të forta kundrejt lidershipit të Partisë Demokratike, por edhe kryeministrit Edi Rama.

Në lidhje me këtë takim të mbajtur ku salla u mbush plot, analisti Ergys Mërtiri përmes një lidhje të drejtpërdrejtë tha sot për Report Tv se prania e shumë demokratëve dje në atë sallë nuk ishtë ndonjë surprizë. Sipas tij demokratët janë të mërzitur dhe të pakënaqur me realitetin ku partia ndodhet.

“Prania është një gjë shumë e rëndësishme, por nuk është ndonjë surprizë, pasi tanimë dihet se brenda PD ka një pakënaqësi të thellë. Demokratët janë të mërzitur janë të lodhur dhe nuk e pranojnë realitetin politik ku ndodhen. Të gjithë në PD edhe vetë njerëzit më të afërt të Berishës që brohorasin sikur do të përmbysin Ramën edhe vetë të qartë e kanë që kjo nuk ndodh. Berisha nuk ka më alibi nuk ka asnjë lloj mundësie më si të gënjejë militantët e tij. PD po shkon në fatalitet, po shkon drejt shkatërrimit, po shkon drejt tkurrjes së saj”, tha Egys Mërtiri.

Më tej ai theksoi se Berisha është i trembur dhe shqetësuar nga këto lëvizje të Salianjit, sepse ai e di shumë mirë që fuqia e çdo gjëje që lëviz jashtë tij buron nga pafuqia e Berishës për ta mbajtur atë parti.

“Berisha po e përjashton Salianjin për t’ia penguar atë që nisma e tij të shkojë deri në fund. Berisha e ka kuptuar që në ditën e parë forcën e asaj që po bën Salianji dhe prandaj e ka sulmuar. Berisha e di që kjo lëvizje mund të marrë përmasa, pasi Berisha e di mirë se kushdo se çfarë zien brenda PD-së, se sa të pakënaqur janë demokratët. Berisha është i trembur dhe shqetësuar nga kjo lëvizje, sepse e di shumë mirë që fuqia e çdo gjëje që lëviz jashtë tij buron nga pafuqia e Berishës për ta mbajtur atë parti. Berisha është gjithmonë e më i pafuqishëm për të bërë të gjë dhe kjo mund ta shkatërroj atë vet”, theskoi analisti.

I pyetur nga moderatori Nertil Agalliu në lidhje me foltoret që organizon çdo javë dhe tryezën e zhvilluar të premten me aleatët e tij, Mërtiri shtoi se këto gjëra Berisha i bën që të mbajë partinë gjallë’, të mbijetojë.

“Nuk i hyn asgjë në këmbë Ramës nga protestat e Berishës. Berisha po përpiqet të mbijetojë, dhe këto nuk janë protesta kundër Ramës. Në tryezë, nuk kishte shoqëri civile joberishiste. Ai i thëret sikur ka ndonjë gjë të re. Po Rama nuk përmbyset me këto tryeza”, përfundoi Mërtiri.