Ndër grup-veprat penale të hetuara, ashtu si vitet e kaluara, pjesën dërmuese e përbëjnë krimet e trafikimit të lëndëve narkotike, shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, trafikimi i qënieve njerëzore, vrasjet e ndryshme, sidomos vrasjet brenda familjes, krimet e korrupsionit, veprat e ndryshme penale të kryera nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara, trafikim i armëve dhe i municioneve, krimet e lidhura me terrorizmin, rrëmbimi i personit.
Analiza e të dhënave tregon se numri i procedimeve për trafikim të lëndëve narkotike ka një rënie të lehtë në krahasim me dy vitet e mëparshme. Rritje të ndjeshme patën procedimet për krimet e trafikimit të njerëzve, veprat korruptive, krimet e kryera nga organizata dhe grupe të strukturuara kriminale, krimet e lidhura me terrorizmin, shtrëngimi për dhënien e pasurisë.
Krimet e vrasjeve në kompetencë të kësaj zyre mbetën thuajse në të njëjtin nivel. Rastet e krimit të shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë dhe rrëmbimi i personit kanë shënuar rritje. Tendenca e kriminalitetit të hetuar për krime të kryera nga organizata ose grupe të strukturuara dhe krime të terrorizmit ka një rritje sasiore në raport me vitet e mëparshme.
Gjatë vitit 2015 u vunë nën hetim 706 persona, 89 më shumë se gjatë vitit 2014 dhe 293 më shumë se gjatë vitit 2013. Nga këta, 311 u dërguan për gjykim dhe 229 (43 më pak se vitin e kaluar) u mbartën për vitin në vazhdim. U pushuan hetimet ose akuzat për 50 subjekte, ndërsa procedimet për 116 subjekte të tjera u transferuan për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore.
Nga 311 subjektet e dërguara për gjykim, pjesa më e madhe e tyre (274 persona) kanë qenë nën masën e sigurimit arrest në burg (248 në fakt dhe 26 në mungesë), kurse 7 prej tyre nën masën e arrestit në shtëpi.Ndërkohë, 8 subjekte kanë qenë nën masën e sigurimit detyrim për paraqitje në PGJ, kurse 16 subjekte pa masë sigurimi.
Gjatë vitit 2015 përfundoi gjykimi në shkallë të parë për 152 çështje (2 më shumë se një vit më parë) me 243 persona të akuzuar (35 persona më shumë se në 2014-n). Numri i çështjeve të gjykuara gjatë vitit të kaluar është më i larti ndër vite.
Gjithashtu, përfundoi gjykimi në apel dhe u vunë në ekzekutim 120 vendime penale. Edhe gjatë vitit 2015, megjithë ashpërsimin e sanksioneve për krimet e vrasjes brenda familjes, në planin parandalues nuk u shënuan rezultate pozitive. Numri dhe përhapja e këtyre krimeve mbeten të larta dhe parandalimi vërehet se nuk është funksion i masave të ashpra të dënimit. Për krimin e trafikimit të lëndëve narkotike, gjatë vitit 2015, dënimet ishin pothuajse të njëjta, me një ashpërsim prej disa muajsh në apel.
Me gjykim të zakonshëm u gjykuan 35 çështje (46 të pandehur), kurse me gjykim të shkurtuar 117 çështje (197 të pandehur). Raporti mes dy llojeve të gjykimeve vazhdon të mbetet i lartë. Prirja e të akuzuarve për të zgjedhur gjykimin e shkurtuar, përveç përfitimit në uljen e dënimit, besojmë se lidhet edhe me faktin e plotësisë së hetimeve të kryera, që lejojnë zgjidhjen e çështjes në gjendjen që janë aktet në fashikullin e prokurorit.
Gjatë vitit 2015 patëm vetëm tri raste pafajësie, për 4 persona të akuzuar. Treguesi i pafajësive në gjykim, në raport me 162 të pandehur të gjykuar me vendim të formës së prerë, mund të vlerësohet si tregues i qëndrueshmërisë së akuzave të ngritura.
Hetimi pasuror
Gjendja e zbatimit të ligjit për sekuestrimin e aseteve kriminale paraqitet si vijon:Përveç veprimtarisë verifikuese që kryejnë prokurorët e kësaj Prokurorie për procedimet që hetojnë, prokurorët e Njësisë së Hetimit të Korrupsionit Pasurisë dhe Akteve Terroriste kanë marrë në shqyrtim edhe materiale referuese me origjinë nga prokuroritë e rretheve gjyqësore, Drejtoria e Marredhënieve Juridiksionale me Jashtë, drejtoritë e policisë në qarqe dhe nga vetë veprimtaria hetimore e prokurorëve të seksionit.
Janë paraqitur dhe pranuar 14 kërkesa për sekuestrim, të lëna në fuqi nga gjykata e apelit, përveç dy rasteve që janë ende në gjykim.Vlera e pasurive të sekuestruara, kryesisht pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare, është në nivele të larta.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)