Skandali i Jeffrey Epstein vazhdon të zgjerohet dhe të prodhojë pasoja politike në disa vende, por jo kudo njësoj. Një analizë e Stephen Collinson për CNN vë në kontrast të fortë krizën që po përjeton Mbretëria e Bashkuar me situatën në Shtetet e Bashkuara, ku president Donald Trump duket se mbetet politikisht i paprekur.
Në Britani, presioni politik po rritet çdo ditë. Kryeministri Keir Starmer, ndonëse nuk ka pasur kurrë lidhje personale me Epstein, po përballet me një krizë serioze që mund t’i rrezikojë postin. Shkaku lidhet me emërimin e ish-ministrit laburist Peter Mandelson si ambasador në Uashington, pavarësisht miqësisë së tij të njohur me Epstein.
Dosjet e reja sugjerojnë se Mandelson mund t’i ketë dhënë Epstein-it informacione të ndjeshme gjatë krizës financiare të vitit 2008. Ai tashmë po përballet me një hetim penal, ka dhënë dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve dhe është larguar nga Partia Laburiste. Vetë Starmer e pranoi në Parlament se ishte në dijeni të kësaj miqësie, çka e ka ekspozuar edhe më shumë politikisht.
Zemërimi publik në Britani ka qenë aq i fortë, sa pasojat kanë prekur edhe familjen mbretërore. Mbreti Charles III i hoqi titujt mbretërorë ish-Princit Andrew dhe e largoi nga rezidenca e tij, për shkak të lidhjeve të tij me Epstein dhe marrëveshjes jashtëgjyqësore me një nga viktimat.
Në anën tjetër të Atlantikut, tabloja është krejt tjetër. Edhe pse emri i president Donald Trump shfaqet në disa prej dosjeve Epstein dhe përfshihet në akuza të reja të paverifikuara, autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se nuk do të ketë ndjekje të mëtejshme penale. Deri tani nuk ka asnjë akuzë zyrtare ndaj tij.
CNN thekson se dallimi qëndron te sistemi politik dhe fuqia institucionale. Ndryshe nga kryeministrat britanikë, të cilët mund të rrëzohen nga revolta brenda partisë, presidenti amerikan ka mandat të fiksuar. Për më tepër, Trump mban kontroll të fortë mbi Departamentin e Drejtësisë dhe mbi Kongresin republikan, duke shmangur hetime të thelluara.
Në SHBA ka pasur pasoja për disa figura të njohura. Ish-Sekretari i Thesarit Larry Summers u tërhoq nga angazhimet publike pasi doli në pah komunikimi i tij me Epstein. Po ashtu, Brad Karp, drejtues i firmës së njohur ligjore Paul Weiss, dha dorëheqjen pasi u publikuan emaile të tij me Epstein.
Megjithatë, sipas CNN, këto raste nuk kanë krijuar një efekt zinxhir politik si në Britani. Trump, përkundrazi, ka zgjedhur strategjinë e minimizimit të çështjes. Ai i tha këtë javë CNN-së se “është koha që vendi të kalojë te diçka tjetër”.
Analiza përfundon se dosja Epstein vazhdon të shtrihet globalisht, duke përfshirë tashmë edhe vende si Norvegjia dhe Polonia, por pasojat e saj politike varen nga forca e liderëve dhe nga mënyra se si funksionojnë institucionet në secilin vend. Përshtatur nga CNN
Komente










