Analiza e DW: A do të mbijetojë koalicioni i dobët qeveritar?

Analiza e DW: A do të mbijetojë koalicioni i dobët qeveritar?

Në radhët e Partisë Liberale Gjermane (FDP) ka muaj që zjen. Partneri më i vogël i koalicionit në qeverinë gjermane pësoi disa dështime njëri pas tjetrit në zgjedhjet rajonale dhe ato të landeve në vitin 2022 dhe 2023. Dhe për këtë politikanët lokalë fajësojnë politikën federale. Sipas sondazheve tre të katërtat e gjermanëve janë të pakënaqur me punën e koalicionit qeveritar të socialdemokratëve (SPD), të të Gjelbërve dhe të FDP-së.

Partia liberale FDP organizoi madje edhe një sondazh në radhët e anëtarëve të saj, gjatë të cilit rreth 48 për qind u shpreh pro largimit sa më të shpejtë të kësaj partie nga koalicioni qeveritar i cili nuk gëzon simpati në radhët e popullsisë.

Pakënaqësi e madhe

Viti 2024 mund të jetë viti më i vështirë për qeverinë tripartiake gjermane. Më 9 qershor zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, kurse në shtator zhvillohen zgjedhjet për parlamentet e landeve në Saksoni, Turingji dhe Brandenburg. Po ashtu në nëntë nga 16 landet federale zhvillohen zgjedhje lokale.

Në Saksoni, Turingji dhe Brandenburg, forca më e fortë konsiderohet partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), të cilën Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese e klasifikon pjesërisht si ekstremiste të djathtë. Shance aty duket se ka vetëm partia kristian-demokrate CDU. Kurse SPD, të Gjelbrit dhe FDP-ja e kanë humbur në mënyrë dramatike besimin e zgjedhësve. Në Saksoni u publikua në fillim të vitit një sondazh sipas të cilit SPD-ja dhe FDP-ja nuk do të arrinin të merrnin votat e nevojshme për të hyrë në parlamentin e landit, kurse të Gjelbërit mund të fitonin me shumë zor minimumin e nevojshëm.

Sipas sondazheve koalicioni qeveritar gëzon sot përkrahjen e vetëm 33 për qind të votuesve, nga 52 për qind që ishte ajo në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Olaf Scholz, kancelari pa emocione dhe karizëm

Shumë njerëz janë të pakënaqur, deklaroi kancelari Olaf Scholz (SPD) në fjalimin e tij të Vitit të Ri. “Unë e marr seriozisht këtë.” Por bota po ndryshon “me një shpejtësi marramendëse” prandaj edhe Gjermania duhet të ndryshojë, tha ai.

Po a janë vërtetë ndryshimet me të cilat po përballen ato që i bëjnë njerëzit të pakënaqur, apo është mënyra se si qeveria po reagon ndaj krizave të shumta? Lufta e agresionit rus kundër Ukrainës, e cila u pasua nga një krizë energjetike, rritja në qiell e çmimeve, rënia e ekonomisë gjermane. Shumë qytetarë nuk besojnë më se qeveria është në gjendje për të përballuar problemet.

Po ashtu kancelari nuk duhet ta ketë kaluar pa vënë re se edhe ai personalisht po del keq e më keq në sondazhe. Kjo edhe për shkak të stilit të tij të komunikimit dhe të drejtimit. Juristi 65-vjeçar, Scholz, nuk arrin ta shpjegojë politikën e tij dhe t’i bëjë njerëzit për vete.

Frika na bashkon

Mosmarrëveshjet mes partive të koalcionit qeveritar nuk duket se do të marrin fund gjatë vitit 2024. Edhe pse kancelari do të bisedojë edhe një herë me ministrin e Financave, Christian Lindner(FDP), për të hequr dorë këtë vit nga frenimi për të marrë borxhe të reja, nëse rezulton se mbështetja ushtarake dhe financiare për Ukrainën nuk është e mjaftueshme, kjo nuk do të thotë se FDP do të jetë dakord.

Megjithatë liderët e të tri partive i shmangen dhënies fund të koalicionit më shumë se çdo gjëje tjetër. Në rast se do të ketë zgjedhje të reja, ekziston rreziku që socialdemokratët (SPD), të Gjelbërit dhe liberalët (FDP) do ta humbasin pushtetin qeveritar dhe shumë parlamentarëve do të duhet të heqin dorë nga mandatet e tyre në Bundestag. Prandaj në nivelin e funksionarëve, pothuajse të gjithë duan të vazhdojnë koalicionin, i cili de facto është i shpartalluar. Frika nga kolapsi politik është thuajse e vetmja gjë që ende i mban të bashkuara SPD-në, të Gjelbrit dhe FDP-në./DW

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr