Analiza/ Ja pse Trump mund ta godasë Putinin më fort se Biden

Analiza/ Ja pse Trump mund ta godasë Putinin më fort se Biden

Vladimir Putin dhe Donald Trump

Trump më i ashpër se Biden me Putinin? Por a nuk janë Donald dhe Vladimir miq të vjetër? Këto dy pyetje po diskutohen përtej Atlantikut pas deklaratës së fundit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara. “Nëse Putin nuk pranon t’i japë fund kësaj lufte qesharake, Rusia do të përballet me pasoja të rënda,” tha Donald Trump të mërkurën në një postim në rrjetin social Truth.

Në stilin e tij të zakonshëm, Trump tha diçka të pavend dhe diçka të vërtetë në lidhje me konfliktin në Ukrainë, për herë të parë që kur mori drejtimin si president. E pavend, sepse nuk ka asgjë “qesharake” në një luftë të shkaktuar nga një pushtim brutal, që ka marrë qindra mijëra jetë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur. Por e vërtetë, sepse Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin masa që do të kenë pasoja të rënda për Moskën – ndoshta më të ashpra se ato të vendosura nga Joe Biden.

Trump kërcënoi me “taksat, tarifat dhe sanksione të larta” kundër Rusisë, nëse lufta nuk përfundon së shpejti. Administrata Biden kishte vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë pas pushtimit të saj të Ukrainës në shkurt të tre viteve më parë, çka shkaktoi një rënie të ndjeshme të tregtisë mes dy vendeve. Megjithatë, Trump beson se ka mënyra të tjera për të ushtruar presion financiar ndaj Kremlinit, duke vënë në shënjestër veçanërisht sektorin e tij energjetik.

Ndryshe nga Biden, i cili hezitoi të vendoste ndalime të plota mbi eksportet ruse të naftës dhe gazit për të shmangur trazirat në tregjet globale, administrata Trump synon masa më agresive. Sipas një analize të “Financial Times”, sanksionet aktuale kanë kufizuar disa projekte të gazit të lëngshëm dhe kanë vendosur një tavan për çmimin e naftës ruse, por Moska ka gjetur mënyra për t’i anashkaluar ato.

Gjatë një seance dëgjimore në Senat për konfirmimin e tij si Sekretar i Thesarit, Scott Bessent – një bankier i pasur nga Wall Street dhe mbështetës i madh i fushatës së Trump – deklaroi se ishte “100% pro forcimit të sanksioneve ndaj Rusisë, sidomos ndaj kompanive të mëdha të naftës, në nivele që do ta detyronin Moskën të negocionte për Ukrainën.”

Gjithashtu, La Repubblica raporton se Trump planifikon të përdorë edhe masa të tjera për të bindur Putinin të negociojë. Objektivi kryesor duket të jetë ngrirja e konfliktit në pozicionet aktuale, me një mundësi shkëmbimi territori mes rajonit rus të Kurskut dhe atij ukrainas pranë centralit bërthamor të Zaporizhias. Gjithashtu, Trump nuk do të përfshijë në diskutime anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por mund të ofrojë mbrojtje ushtarake nga trupat e NATO-s ose Evropës për Ukrainën.

Nga njëra anë, Shtëpia e Bardhë do të kërcënojë me rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe sanksione të reja ekonomike që do të godasin realisht ekonominë ruse. Nga ana tjetër, nëse Putin pranon të përfundojë konfliktin, Rusia mund të rifutet gradualisht në ekonominë globale.

Në fushatën e tij elektorale, Trump kishte premtuar se do ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda 24 orëve nga marrja e detyrës. Muajin e kaluar, i dërguari i tij i posaçëm për Ukrainën, Keith Kellog, tha se shpresonte të gjente një zgjidhje “brenda 100 ditësh.” Ditët e fundit, si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe Kremlini kanë folur për mundësinë e një samiti mes Trump dhe Putinit.

Një gjë duket e sigurt dhe në një farë mënyre befasuese: Trump mund të kërcënojë Putinin me masa më të rënda se ato të miratuara nga Biden. Edhe pse pretendon se “gjithmonë e ka dashur popullin rus” dhe se ka “marrëdhënie të mira” me Putinin, Trump është gati të ndjekë një qasje më të ashpër për të arritur qëllimet e tij. Ose të paktën, ai e kërcënon atë, në stilin e tij tipik: në të cilin, si në një lojë pokeri, është e vështirë të kuptosh nëse po bën bllof dhe në çfarë mase./La Repubblica

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 23 Janar, 09:41

    Secila parti në zgjedhje me 46 deputetët e parë të fiksuar, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Trump urdhëron deklasifikimin dhe publikimin e dosjeve për eliminimin e ish-presidentit Kennedy dhe Martin Luther King

Presidenti Trump urdhëron deklasifikimin dhe publikimin e dosjeve për eliminimin e ish-presidentit Kennedy dhe Martin Luther King