“Po ia dalim shumë mirë në luftë. Po fitojmë bindshëm.” Kështu u shpreh president Donald Trump, duke komentuar edhe kërkesën ndaj europianëve për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një kërkesë që u refuzua. “Sinqerisht, askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë dhe nuk do të zgjasë shumë”, tha ai, në përgjigje të pyetjeve të gazetares sw Corriere della Sera-s Viviana Mazza.

Vështirë të pritet nga presidenti amerikan një analizë e thelluar për një luftë për të cilën ai vetë ka dhënë shpesh deklarata të paqarta dhe kontradiktore.

Megjithatë, askush nuk duhet të jetë më i informuar se ai, të paktën në teori, pasi ka akses te informacionet më të avancuara të inteligjencës. Por, siç thekson analisti Emile Hokayem, Trump vazhdon të këmbëngulë se SHBA dhe Izraeli po fitojnë qartë, ndërkohë që ankohet se Irani nuk po dorëzohet.

Sipas tij, shifrat dhe epërsia teknologjike nuk tregojnë gjithë historinë e një lufte.

Hokayem, drejtues i International Institute for Strategic Studies, në analizën e tij me titull “Kush po fiton luftën?”, nxjerr në pah pikërisht këtë paqartësi: vështirësinë për të shpallur një fitues dhe dyshimet e ekspertëve, që duhet të dallojnë mes objektivave taktike dhe atyre strategjike, mes afatit të shkurtër dhe atij të gjatë, mes asaj që duket dhe asaj që është realisht.

Ajo që duket më e qartë është se, nëse lufta nuk po përfundon, të paktën faza e parë e saj po mbyllet. Komandat ushtarake amerikane dhe izraelite e kishin planifikuar me detaje këtë fazë, dhe goditjet e vazhdueshme, rreth 13 mijë në dy javë, kanë dhënë rezultate të forta: epërsi ajrore e padiskutueshme, eliminim i drejtuesve dhe shkatërrim i madh i infrastrukturës.

“Duke parë të dhënat, suksesi operacional është vërtet i jashtëzakonshëm”, thotë Hokayem. Por ai paralajmëron se analiza nuk mund të ndalet te shifrat. Ato duhen parë bashkë me dimensionin politik dhe efektet ekonomike, sepse vetëm kështu kuptohet drejt rrjedha e luftës.

Dhe pikërisht këtu dalin në pah pasiguritë. Lëvizje si dërgimi me urgjencë i marinsave nga Okinawa, zhvendosja e sistemeve të mbrojtjes ajrore nga Koreja dhe kërkesa për mbështetje nga flotat e vendeve të tjera në rajonin e Gjirit tregojnë se situata nuk është aq e qartë sa duket. Nuk janë shenja paniku, por as prova e një plani të sigurt dhe të menduar mirë.

Kjo shpjegon edhe pse Irani, që sipas deklaratave duket si pala e humbur, është ende shumë larg një dorëzimi pa kushte, siç ka kërkuar Trump që në fillim.

Sipas analizës, strategjia iraniane ka qenë e thjeshtë: të përshtatë qëllimet me mjetet. Duke qenë i vetëdijshëm se nuk mund të ndalë sulmet ajrore të SHBA dhe Izraelit, Irani ka zgjedhur të rrisë koston për kundërshtarin, sidomos në planin politik.

Trump përballet me dyshime brenda administratës, me kritika nga baza e tij elektorale, me shqetësime nga republikanët në Kongres dhe me një opozitë që tashmë e kundërshton hapur luftën. Ndryshe nga Izraeli, ku qeveria, ushtria dhe një pjesë e shoqërisë janë më të përgatitura për konflikt.

Në këtë kuadër, Irani ka goditur më pak Izraelin dhe është fokusuar te vendet e rajonit, duke targetuar në mënyrë të kujdesshme infrastrukturën energjetike, nga prodhimi te transporti. Kulmi ka qenë paralizimi i trafikut në Ngushticën e Hormuzit, i arritur duke krijuar frikë te qeveritë, kompanitë detare dhe siguruesit.

Kjo lëvizje, e parashikuar prej kohësh nga analistët, por jo e marrë seriozisht nga SHBA, i ka dhënë Iranit një armë të fuqishme presioni.

Ndërkohë, lufta po hyn në një fazë të dytë. Izraeli pritet të vazhdojë eliminimin e figurave të larta, siç ndodhi edhe me Ali Larijani, një nga strategët kryesorë të regjimit, veçanërisht brenda Gardës Revolucionare dhe milicisë Basij.

Sa i përket Iranit, mbetet një mister pse nuk ka përdorur më shumë raketa. Një shpjegim është se janë shkatërruar, por një tjetër, më i mundshëm, është se janë ruajtur për përplasje më të afërta në zonën e Hormuzit.

Për SHBA, objektivi kryesor në këtë fazë bëhet rihapja e ngushticës. Por kjo krijon një paradoks: lufta, e nisur me objektiva të paqarta, tani ka një qëllim të vetëm, të zgjidhë një problem të krijuar nga vetë konflikti.

Siç vëren analisti Gideon Rachman, është ironike që arsyeja e vetme pse Hormuzi është i mbyllur është pikërisht shpallja e luftës nga SHBA dhe Izraeli.

Madje, sipas analizës, Trump i ka dhënë Iranit një armë më efektive se edhe vetë programi bërthamor: kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit. Mbyllja e saj krijon një krizë të menjëhershme dhe njëkohësisht i jep Teheranit një ndikim afatgjatë mbi ekonominë globale.

Përpara SHBA tani janë tre skenarë. I pari, tërheqja me shpallje fitoreje dhe përpjekje për të kufizuar aktorët e tjerë në rajon. I dyti, përshkallëzimi me dërgim trupash në terren, një opsion që deri pak javë më parë dukej i paimagjinueshëm, por që po bëhet gjithnjë e më i mundshëm. I treti, nxitja e përçarjeve të brendshme në Iran, duke e zhvendosur konfliktin në një luftë të brendshme.

Edhe një armëpushim nuk do të zgjidhte problemin. Sipas Ali Vaez, nëse regjimi iranian mbijeton, të gjitha shkaqet e konfliktit mbeten: rezervat e uraniumit, arsenali i raketave dhe tensionet e brendshme.

Madje, edhe brenda vendit, pa lehtësim të sanksioneve, regjimi nuk mund të adresojë pakënaqësinë sociale dhe do të vazhdojë me represion.

Në këtë skenar, një armëpushim do të ishte vetëm një pauzë para një konflikti të ri.

Në fund, siç thekson Hokayem, Irani ruan disa avantazhe kyçe: pozicionin gjeografik, kohën dhe aftësinë për të goditur në mënyrë asimetrike. Sa më shumë të zgjasë lufta, aq më të larta bëhen kostot për të gjithë.

Dhe përtej optimizmit të Trump, panorama nuk duket aspak e qartë as për SHBA por as për pjesën tjetër të botës./CorrieredellaSera