Amerika po rrezikon të humbasë statusin si superfuqi jo sepse po mposhtet nga dikush, por sepse po shpërdoron energjitë në vendet e gabuara. Ky është paralajmërimi i fortë i Fareed Zakaria, një nga analistët më me ndikim të kohës në SHBA, i cili sheh një model të rrezikshëm që përsëritet nga historia.
Sipas tij, problemi nuk janë luftërat në vetvete, por fakti që një fuqi e madhe shpërqendrohet duke u marrë me kriza dytësore, ndërkohë që në sfond rriten kundërshtarë të vërtetë si Kina dhe Rusia.
“Fuqitë e mëdha zakonisht nuk bien sepse pushtohen nga ushtri të huaja, por sepse mbingarkohen me angazhime në periferi, duke neglizhuar sfidat ekzistenciale. Kjo është ajo që po bën Amerika”, thotë ai.
Për ta bërë më të qartë, Zakaria kthen sytë nga historia dhe sjell shembullin e Britanisë së Madhe. Ndërsa ishte në kulmin e saj, Londra u përfshi në konflikte në vende të largëta si Sudani apo Iraku, duke harxhuar burime të mëdha. Në të njëjtën kohë, SHBA po rriteshin ekonomikisht dhe Gjermania po fuqizohej.
“Ishte periudha kur perandoria britanike ishte në kulmin e saj, por u përfshi në vende si Sudani, Somalia, Iraku dhe Jordania, ku përdori qindra mijëra ushtarë dhe shpenzoi dhjetëra miliona paund. Ndërsa liderët britanikë diskutonin strategjitë në Mesopotami, SHBA po ndërtonin ekonominë më të avancuar në botë. Më pas, ndërsa Gjermania po riarmosej, Britania ishte e shpërqendruar në periferi. Rezultati ishte kolapsi si fuqi hegjemoniste”.
Në të njëjtën logjikë, ai sheh edhe politikën aktuale të SHBA. Amerika, sipas tij, ka një prirje të fortë për të ndërhyrë kudo ku ka krizë, duke u përpjekur t’i “rregullojë” gjërat, por pa menduar për koston afatgjatë.
“Ka një tendencë të parezistueshme kur je fuqia udhëheqëse e sistemit botëror të harxhosh kohë dhe burime duke stabilizuar pjesë të ndryshme të botës, duke rregulluar regjime të padëshiruara, duke zgjidhur kriza të momentit dhe duke mbushur boshllëqe pushteti në rajone periferike. Por shpesh harron se sfida kryesore është ngritja e fuqive të reja globale që kërcënojnë hegjemoninë tënde”.
Shembujt më të qartë për të janë Iraku dhe Afganistani, ku SHBA u përfshinë për vite të tëra pa një dalje të qartë.
“Ekziston një prirje e fortë e SHBA për të parë pikat e paqëndrueshme në botë dhe për t’i rregulluar, duke vënë në lojë prestigjin dhe burimet. Pastaj përfundon si në Irak dhe Afganistan, ku kemi kaluar 20 vite për t’u larguar. Rreziku është të harrojmë sfidat kryesore, që sot janë Kina dhe Rusia”.
Për Zakarian, pikërisht këtu është problemi kryesor: ndërkohë që SHBA janë të zëna në Lindjen e Mesme, rivalët e tyre po forcohen.
“Të ankorohet sistemi global kundër ambicieve të Pekinit dhe Moskës. Kina qëndron larg krizave në Lindjen e Mesme dhe investon në inteligjencë artificiale, kompjuterë kuantikë, energji të rinovueshme, bateri dhe robotikë, gjithçka që do të përcaktojë balancën e ardhshme të pushtetit global. Rusia është e vendosur të shkatërrojë sigurinë europiane dhe të sabotojë demokracitë perëndimore me mjete hibride dhe ushtarake. Ndërkohë, Uashingtoni derdh gjak dhe para për të bërë policin në Lindjen e Mesme. Është absurde, aq më tepër që në rastin e Iranit nuk kishte asnjë krizë, Trump e ka fabrikuar atë”.
Ai ndalet edhe te presidenti Donald Trump, duke e përshkruar si të paparashikueshëm dhe të ndikuar lehtë nga liderë të tjerë.
“Mendoj se Trump është bindur nga Netanyahu, i cili ka kuptuar cilat argumente të përdorë për ta bindur, duke luajtur edhe me vanitetin e tij, madje duke e manipuluar. Kryeministri izraelit është shumë i aftë në këtë”.
Në fund, Zakaria paralajmëron se situata mund të përkeqësohet edhe më shumë, sidomos nëse SHBA vendosin të përshkallëzojnë konfliktin në Iran.
“Po, sepse kemi të bëjmë me Donald Trump. Është një president i paparashikueshëm. Edhe nesër mund të shpallë fitore dhe ta mbyllë luftën, por mund edhe të zemërohet dhe të vendosë përshkallëzim. Rreziku më i madh është që, nga frika se mos duket i dobët, të vendosë të pushtojë ishullin Kharg ose diçka tjetër. Në atë moment do të binim në kurth”.
Dhe sipas tij, pasoja nuk do të ndalen vetëm në Lindjen e Mesme.
“Sulmi ndaj Teheranit ishte një marrëzi, nëse mendon për Ukrainën. Tani sistemet e mbrojtjes po zhvendosen në Lindjen e Mesme dhe Putin ka më shumë para për të financuar luftën. Rezultati është që jo vetëm nuk arrijmë objektivat në Iran, por rrezikojmë edhe ato në Ukrainë. Fatkeqësisht, Europa dhe e gjithë bota do ta paguajnë çmimin”./CorrieredellaSera
Komente










