Analiza/ Sa do të bjerë euro në verë?

Analiza/ Sa do të bjerë euro në verë?

Foto ilustruese

TIRANË- Shumë qytetarë pyesin se si do të shkojë vlera e euros në Shqipëri. Mund të duan të mbajnë euro, ose të kthejnë eurot që kanë në lekë. Ndihen disi të pavendosur. Euro nisi të ngrihej ndrojtur në vlerën e tij të këmbimit në tregun tonë, menjëherë sapo mbaruan zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Nga data 15 maj e deri tani, monedha evropiane ka fituar 1.3 përqind dhe qëndron në nivelin një euro baraz me 112.8 lekë, pavarësisht se luhatet shumë.

Tabela 1. Forcimi i ndrojtur i euros këtë javë
 13 maj 2023                                        111.4 Lekë
 15 maj 2023                                        111.7 Lekë
 17 maj 2023                                        112.6 Lekë
 19 maj 2023                                        112.8 Lekë (rritje me 1.3 përqind nga 13 maji)

Këmbyes, sipërmarrës, qytetarë: të gjithë në pikëpyetje
Jo vetëm këmbyesit në tregun valutor, por edhe sipërmarrësit dhe qytetarët janë të interesuar se si do të shkojë më tej ecuria e monedhës evropiane. Gjatë kësaj jave pas së djelës së zgjedhjeve, euro u ul në tregun e Maqedonisë së Veriut, që ka monedhën e saj denarin, si dhe në tregun e Serbisë, me monedhë dinarin.

Tek ne euro u rrit pak. Shumë nga ne pyesin se si do të jetë vlera e euros gjatë kësaj vere. A duhet të mbajmë mënjanë lekë, apo t’i kthejmë në euro?

Eksportuesit në ankth
Të shqetësuar akoma më tepër janë eksportuesit, të cilët humbasin fort nga vlera e ulët e këmbimit të euros tek ne. Ata nuk mund të rrisin çmimin e produkteve që eksportojnë, se menjëherë humbasin tregjet që kanë kapur. Një eksportues i këpucëve në Itali thotë:”Konkurrenti im në Maqedoninë e Veriut e di çmimin tim për një palë këpucë. Në rast se unë, për të mbuluar humbjet nga kursi i këmbimit, e rris çmimin e një pale këpucë jo me 8 përqind sa është ulur euro në një vit, por vetëm me 3 përqind, ky konkurrent menjëherë i jep çmimin e tij kontraktuesit tim në Itali dhe unë humbas kontratën”.

Vërtet, si do të shkojë euro në tregun tonë? Për fat jo të mirë të eksportuesve, euro do të vijojë të ulet gjatë verës, nga oferta mbi 2.3-2.6  miliardë euro e turizmit dhe e emigrantëve që vijnë për pushime. Euro mund të shkojë edhe 1 euro barazi me 100 lekë!

Ç’do të ndodhë me euron gjatë verës?
•             Pas mesit të qershorit, euro do të rinisë uljen e ndjeshme në tregun tonë, e cila do të vazhdojë deri në mesin ose fundin e shtatorit 2023
Faktorët që e ulin euron (15 qershor-15 shtator 2023):
•             Pronotimet e turizmit të organizuar janë 35% më shumë se vjet
•             Pronotimet e turizmit individual janë 15% më shumë se vjet
-              VIJNË EMIGRANTËT(mbi 1.5 milionë vetë). Sjellin 580-600 milionë euro me vete
-              VIJNË KOSOVARËT(mbi 1 milionë vetë). Shpenzojnë 450-480 milionë euro
-              VIJNË NGA MAQEDONIA E VERIUT (rreth 350 mijë vetë). Shpenzojnë 230 milionë euro
-              VIJNË TURISTË TË HUAJ (mbi 1.8 milionë vetë). Shpenzojnë mbi 1.3 miliardë euro!
PRURJA TOTALE E EUROVE: 2.3-2.6 MILIARDË EURO!!! Kjo sasi mund ta ulë euron edhe në 1 euro=100 lekë!!

Si ndihmohen eksportuesit?

Çfarë mund të bëjë banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, për këtë euro të ulur? Po qeveria?

Banka jonë qendrore nuk mund të bëjë shumë.

Rënia e euros dhe BSH
1.            Ka një mendim mes eksportuesve, se banka qendrore mund t’i ndihmojë, duke blerë euro. E ka të pamundur ta bëjë këtë, sa herë euro këmbehet ulët!
2.            Banka e Shqipërisë ndërhyn kur tregu i këmbimit nuk funksionon(nuk blihet dhe nuk shitet normalisht)
3.            Banka e Shqipërisë ndërhyn kur inflacioni rrezikon të rritet fort
4.            Banka e Shqipërisë dhe mbarë sistemi bankar po provon t’i ndihmojë me mënyra të tjera eksportuesit

Banka e Shqipërisë 

Banka jonë qendrore nuk mund të blejë euro në treg, sa herë që monedha evropiane këmbehet ulët. Tregu i këmbimit është i lirë dhe asnjë bankë qendrore nuk e ndërmerr këtë aventurë, sado e fuqishme të jetë kjo bankë. E provoi në vitin 2015 Banka Kombëtare e Zvicrës për të ndihmuar eksportuesit zviceranë, por hoqi dorë më vonë, pasi kishte humbur me qindra miliardë franga zviceranë. Sistemi ynë bankar mund t’i ndihmojë eksportuesit  duke u ristrukturuar kreditë që kanë marrë, për të kaluar më lehtë këtë periudhë të vështirë. Bankat tregtare janë ofruar ta bëjnë këtë, me nxitjen e Bankës së Shqipërisë.

Qeveria ka ulur në vetëm tre ditë rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për eksportuesit, për t’i ndihmuar të kenë para kesh, si dhe ua ka ngrirë pagesën e kësteve të Tatimit mbi Fitimin deri në fund të këtij viti. A mjaftojnë këto masa? A mund të bëjë qeveria më shumë? Mundet, nëse do ketë kurajon të merret me kompanitë e mëdha të importit.

Taksë e jashtëzakonshme për importuesit?
Kjo periudhë, që nga marsi 2022, ka sjellë fitime të jashtëzakonshme për importuesit, pasi euro është shvlerësuar me 8 përqind, kurse çmimet e mallrave dhe shërbimeve që sigurohen nga importi, në tregun tonë nuk janë ulur as edhe 1-2 përqind!

Importuesit i blejnë mallrat në euro dhe i shesin në tregun tonë me lekë. Ky 8 përqind i shtrirë në harkun kohor të një viti(mars 2022-prill 2023) është fitim që duhet taksuar. Morali është i njëjtë si taksa e jashtëzakonshme për energjinë elektrike të prodhuar në Shqipëri nga kompanitë private dhe të eksportuar jashtë, me çmime shumë më të larta se kosto e prodhimit.

Foto ilustruese

Në kushtet tona, kur eksportet po ulen dukshëm, është e domosdoshme një taksë e jashtëzakonshme e përkohshme, për sa kohë euro është shumë e ulur. Njëlloj si u bë me taksën e jashtëzakonshme, mbi fitimin e kompanive private prodhuese të energjisë elektrike, që eksportonin energji jashtë Shqipërisë. Taksa mund të jetë 2 ose 3 përqind mbi vlerën e faturave të importeve të kompanive të shumicës nga 1 qershori 2023. I gjithë fondi që do të mblidhet nga kjo taksë, duke filluar nga korriku 2023, duhet t’u kalojë si subvencion në mënyrë proporcionale, eksportuesve, sipas faturave të shitjeve të tyre jashtë vendit, për aq kohë sa euro është në këto nivele shumë të ulta këmbimi. Qeveria, nëse e ndërmerr këtë hap, duhet të bëjë kujdes që importuesit të mos e i ngrejnë çmimet e mallrave të importit që shesin në treg, me 2 ose 3 përqind, sa do të vendoset taksa.

Eksportet janë e ardhmja e ekonomisë sonë. Për tremujorin e parë janar-mars 2023, ato ranë me 11.7 përqind, në krahasim me janar-marsin 2022. Duhet të na shërbejë kjo rënie si një këmbane e fuqishme alarmi. Duhet t’i ndihmojmë eksportuesit tanë tani, se në fund të shtatorit do të jetë vonë!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Amalia: 02/06/2023 19:43

    Ne shqiperi kane hyre 7 mil turist vitin e kaluar kete vit vijne 10 mil qe si valute 80% kane € , po ashtu keto 4-5 vite plot 400,000 shqiptare jane ne Europe me pune dhe remitancat qe sjellin ne korrik - gusht jane ne € dhe kjo e fuqizon lekun dhe mendoj qe nga data 1 gusht te jete 1 € = 101-103 ALL pasi kjo renie € tregon rritje turizmit, nese eksportuesit preken duhet qe eksportuesi te projektoje shitjen 1€=100 lek pasi duke pare rritje turizmi dhe rritje emigracioni (si rrjedhoje dhe remitanca) nuk eshte cudi qe 1€=99 lek pra vitin 2024 nese ka ne 2023 10 mil turiste te huaj do kemi vitin tjeter ndoshta edhe 11 mil , cfare duhet te rritet prodhimi dhe te rritet fuqia prodhuese vendase! Cfare mund te beje banka shqiperise ? Per mendimin tim mund te botojee (emetoje ) monedhe te re 20,000 lek me Gjon Buzukun pra te krijoje sic u krijua 5000 lek i ri dhe 10,000 lek me Asdrenin te futet ne qarkullim ne 2024 edhe Gjon Buzuku tek 20,000 lek kartmonedhe e re kjo mund te ndikoje tek kursi kembimit por dhe inflacion

    Përgjigju
  • Naku: 20/05/2023 08:48

    Kush e parashikon dot si vene valutat? Por nuk ka per te rene aq sa thua per disa arsye. 1 eshte inflacioni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja