Ata që anatemuan pa argumenta profesionalë ministren digjitale Diella, të kujtojnë sulmet dhe nxjerrjen jashtë ligjit për një kohë të shkurtër disa mujore në Gjermani, të makinave me motorr me djegje të brendshme në vitin e largët 1886.
Ndërkohë, shërbimet e digjitalizuara na e kanë ndryshuar jetën për mirë. Deri në vitin 2020, për të marrë një dokument të thjeshtë, qytetarët tanë duhej të kalonin përmes një procesi të lodhshëm: pritje në radhë, udhëtime drejt institucioneve, pagesa të shumta për kopje dokumentesh, përballje me burokraci dhe shpeshherë sekserë që të kërkonin para, që të të mbaronin punë shpejt, edhe pse paguaje shtetin për shërbimin që i kërkoje.
Sot, falë platformës e-Albania dhe shërbimeve të tjera digjitale, sot mbi 95% e shërbimeve publike janë të ofruara online, duke eliminuar pothuajse plotësisht nevojën për paraqitje fizike në sportel. Kjo ka ndryshuar rrënjësisht përvojën e qytetarëve me administratën, duke e kthyer në një proces më të thjeshtë, më transparent dhe më të shpejtë.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI), një qytetar që përdor shërbime online kursen mesatarisht nga 2 deri në 5 orë për çdo aplikim, në varësi të kompleksitetit të dokumentit. Në një vit, kjo përkthehet në miliona orë të kursyera kohë pune, më pak stres dhe jetesë më të mirë për qytetarët dhe sipërmarrësit.
Shërbimet online kanë reduktuar ndjeshëm kostot financiare për qytetarët. Në mungesë të udhëtimeve drejt institucioneve, kursimet në transport, dokumente të shtypura dhe tarifa shtesë janë të ndjeshme. Sipas vlerësimeve të vitit 2024, kalimi në format elektronik ka sjellë kursime prej mbi 15 milionë eurosh në vit për qytetarët shqiptarë, vetëm nga eliminimi i procedurave fizike.
Për më tepër, edhe vetë shteti ka kursyer: më pak personel në sportele, më pak harxhime për letër, arkivim dhe mirëmbajtje të hapësirave fizike. Kjo ka lejuar shfrytëzim më të mirë të burimeve publike dhe ulje të kostove administrative.
Një tjetër përfitim i madh i digjitalizimit është reduktimi i kontakteve të drejtpërdrejta midis qytetarëve dhe zyrtarëve, çka ka ulur ndjeshëm hapësirat për abuzime apo korrupsion.
Sistemet online lënë gjurmë elektronike për çdo veprim, duke rritur përgjegjshmërinë dhe transparencën e administratës.
Kjo ka ndikuar pozitivisht në perceptimin publik për efikasitetin e institucioneve, si dhe në rritjen e besimit të qytetarëve tek shërbimet shtetërore.
Me Diellën në qeveri, kursimet publike nga mostrukimi i tenderave publikë do të shkojnë në qindra milionë euro në vit. Duhet të kemi besim tek teknologjia e informacionit dhe tek inteligjenca artificale. Me Diellin do të jemi shumë shpejt shumë më mirë si harxhe qeveritare dhe si qytetarë më mirë të shërbyer.
Shqipëria në vendin e 18-të në botë për nga siguria kibernetike
Sot, në një epokë ku kërcënimet digjitale po shtohen me ritme të frikshme, Shqipëria më 22 shtator 2025 arriti një rezultat befasues dhe zemërdhënës. U rendit në vendin e 18-të në botë për sigurinë kibernetike, duke u përmirësuar me 23 vende, sipas Indeksit të Sigurisë Kibernetike Kombëtare(në anglisht National Cyber Security Index – NCSI)( https://ncsi.ega.ee/ncsi-index/).
NCSI është një OJF ndërkombëtare profesioniste, matëse e sigurisë online. Në krahasim me dy vite më parë, vendi ynë pësoi një ngritje të rëndësishme në klasifikim. NCSI është një tregues i përdorur gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare, për të vlerësuar kapacitetet e vendeve në mbrojtjen e hapësirës digjitale. Ky rezultat e pozicionon Shqipërinë ndër vendet më të sigurta kibernetikisht në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, duke lënë pas shumë vende të zhvilluara.
Një arritje e tillë nuk është rastësi. Sulmet kibernetike të vitit 2022 ndaj infrastrukturave shtetërore shqiptare shënuan një pikë kthese. Ato ekspozuan dobësitë ekzistuese, por njëkohësisht nxitën një reagim të koordinuar që përfshiu qeverinë, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), strukturat e Mbrojtjes dhe të Policisë së Shtetit, si dhe partnerët ndërkombëtarë si SHBA, BE dhe NATO.
Për herë të parë, tek ne u ngritën:
Një Qendër e Integruar e Monitorimit të Sulmeve (SOC Kombëtar),
Njësi reagimi të shpejtë (CERT Albania) që bashkëpunojnë me NATO dhe ENISA
Një sistem paralajmërimi i hershëm për rreziqet kibernetike që lidhen me energjinë, transportin, financat dhe infrastrukturën publike
Kapërcimi me 23 vende përpara në dy vjet, në sigurinë kibernetike, forcon pozicionin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke dëshmuar përputhshmëri me standardet e BE-së në mbrojtjen e të dhënave dhe të infrastrukturës kritike , kërkesë e rëndësishme për të avancuar në integrim.
Me sot 85 pikë të plota në Indeksin e Sigurisë Kibernetike Kombëtare (NCSI), Shqipëria po tregon se siguria kibernetike nuk është më thjesht një sfidë, por një përparësi kombëtare e vendit.
Komente









