Analizat vjetore të punës së strukturave policore në Vlorë e Fier, Proda: Cilido që cenon imazhin e Policisë do të largohet menjëherë nga radhët e saj

Analizat vjetore të punës së strukturave policore në Vlorë e Fier, Proda: Cilido që cenon imazhin e Policisë do të largohet menjëherë nga radhët e saj

Ilir Proda

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me drejtorët e Departamenteve të Policisë Kriminale, Rendit dhe Sigurisë Publike, si dhe të Kufirit dhe Migracionit, morën pjesë në analizat vjetore të punës së strukturave policore në qarqet Vlorë dhe Fier.

Në analizat vjetore ishin të pranishëm drejtuesit e Prokurorive respektive, të Gjykatave dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Proda, në të dyja analizat e punës në Vlorë dhe Fier, vlerësoi angazhimin e strukturave policore gjatë vitit 2024 për përballimin me sukses të sezonit turistik, duke siguruar një sezon pa asnjë incident me turistët, intensifikimin e punës për parandalimin e kultivimit të kanabisit, çka solli një ulje të ndjeshme të rasteve krahasuar me vitet e mëparshme, si dhe reagimin në kohë për trajtimin e çështjeve të adresuara nga qytetarët.

Proda vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e mirë me Prokuroritë respektive dhe inkurajoi drejtuesit e rinj të strukturave policore që të forcojnë më tej këtë bashkëpunim, jo vetëm me agjencitë ligjzbatuese, por edhe me qytetarët, të cilët janë aleati më i rëndësishëm për përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

Pavarësisht sfidave të shumta, viti 2025 duhet të shënojë përmirësim të treguesve të punës, me angazhimin maksimal të drejtuesve të strukturave policore dhe fokus të veçantë në parandalimin e krimeve kundër personit. Prioritet do të jetë sigurimi i informacionit për çdo person me precedent kriminal, si dhe rihapja dhe zbardhja e ngjarjeve të vjetra kriminale, të cilat shpesh janë dhe burim për ngjarje të reja. Sigurimi i inteligjencës policore dhe hetimet proaktive janë thelbësore për goditjen e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit dhe drogave të forta, si dhe për luftën kundër krimeve ekonomike e financiare dhe trafiqeve të paligjshme.

Një tjetër çështje ku u ndal Proda ishte rëndësia e njohjes së gjuhës angleze nga punonjësit e Policisë Rrugore, të Patrullave të Përgjithshme dhe të Policisë Kufitare në pikat e kalimit, duke e konsideruar këtë si një domosdoshmëri për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe turistëve. Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të numrit të vizitorëve të huaj dhe rolin e policisë si kontakti i parë me ta, ai ka kërkuar të merren masa për të mundësuar ndjekjen e një kursi bazë të gjuhës angleze për punonjësit e këtyre strukturave. Në këtë kuadër, Akademia e Sigurisë do të shtojë orët mësimore të gjuhës angleze për Kolegjin e Policisë dhe do të ofrojë orë suplementare për studentët e Fakultetit për Hetimin dhe Sigurinë.

Proda ka qenë i prerë në porositë për zbatimin me korrektësi dhe paanshmëri të ligjit zgjedhor nga ana e punonjësve të Policisë, të cilët duhet të jenë të distancuar nga çdo ndikim apo veprimtari me karakter politik dhe të fokusohen në përmbushjen e detyrave, duke garantuar rendin dhe sigurinë përgjatë fushatës zgjedhore. Cilido që cenon imazhin e Policisë së Shtetit do të largohet menjëherë nga radhët e saj.

Në vijim, Proda kërkoi nga strukturat e hetimit të krimit që krahas hetimit të paligjshmërive, prioritare të kenë dhe krimet zgjedhore.

Drejtuesit e Prokurorive respektive vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes Drejtorive Vendore të Policisë dhe Prokurorive dhe siguruan Drejtorin e Përgjithshëm se ky bashkëpunim do të konsolidohet më tej. Ata theksuan se rritja e cilësisë së punës hetimore dhe operacionale do të jetë prioritet në luftën kundër krimit të organizuar, krimit të rrugës dhe çdo paligjshmërie që cenon jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 17 Mars, 09:11

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?



×

Lajmi i fundit

Dosja e '21 janarit', Petraj: SPAK po skanon në filtër çdo person të përfshirë! Gazetari Hoxha: Hetimet të niseshin me ata që prishën provat

Dosja e '21 janarit', Petraj: SPAK po skanon në filtër çdo person të përfshirë! Gazetari Hoxha: Hetimet të niseshin me ata që prishën provat