TIRANE, 12 Dhjetor/ATSH, Nini Mano/- Niveli i punësimit shënoi përmirësim në tremujorin e tretë, duke u rritur me 1.8 për qind, në krahasim me tremujorin e dytë dhe 3.7 për qind në krahasim me tremujorin e tretë të 2013.
Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë të punësuarit në moshat 15-64 vjeç arriten në 1.043.058 persona dhe shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 4,8 pikë përqindje ndaj një viti më parë. Rritje e puënsimit shënohet 1,8 pikë përqindje në raport me tremujorin e dytë sivjet, ku shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 2,1 pikë përqindje dhe shkalla e papunësisë ka rënie të lehtë prej 0,2 pikë përqindje.
Punësimet janë nxitur nga zhvillimet e reja në industri dhe formalizimit në punë në sektorët privatë, sipas ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ku janë 43 mijë vende të reja. Vetëm në industrinë e fasonit me zbatimin e paketës mbështetëse, nga prilli deri sot janë krijuar 6.000 vende të reja pune.
Në këtë industri, në 8-mujorin janar-gusht eksportet për industrinë e fasonit arritën vlerën 111 milionë usd dhe trendi pozitiv po shoqëron bujqësinë, tregtinë, shërbimet.
Paketa mbështetëse e miratuar në prill nga Qeveria me lehtësitë kryesore për bizneset e industrisë fason ka hyrë në fazën e verifikimit të efekteve në ekonominë vendase dhe zhvillimin e kësaj dege të industrisë. Paketa mbështetëse përfshin dhe trajnimin e punonjëseve, ku përfitues është cdo biznes për periudhën trajnuese deri në 5 muaj, ku qeveria paguan pagën dhe sigurimet, kompenson shpenzimet për kostot e materialeve të punës. "Qëllimi është që në pak kohë, kjo industri të kalojë në cikël të plotë, në mënyrë që të ketë sa më shumë punësim, vlerë të shtuar të rritur, që ngelet në Shqipëri dhe sa më shumë eksport", thonë për ATSH-në burime zyrtare të MZHETS-së.
Deri në fund të muajit shtator Sporteli Fason pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), u anketuan 250 biznese fason, ku rezultoi rritje e punësimit me 6000 vende të reja pune, rritjes së vlerës së shtuar dhe sidomos, eksportit, ku pesha e tij në raport me totalin e eksporteve shqiptare llogaritet në 33.3%.
Ndërsa për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32,4 %, qeveria po ndërmerr masa për përfshirjen e tyre në tregun e punës përmes nxitjes së nismave private. Kështu, për SME-të inovative, ku përfshihen mbi 100 biznese femërore dhe mbi 400 biznese të reja, buxheti llogarit t'i mbështetesë me fonde përgjatë vitit 2015, duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimit të SME-ve me fokus, inovacionin.
Në 2015 do të krijohet Fondi për mbështetjen e mbi 100 bizneseve të udhëhequra nga gratë përmes kredive me interesa të ulëta, deri në 50%. Një Fond grant për Start Up-et do të mbështesë rreth 400 biznese të reja dhe do të menaxhohet nga AIDA, ndërsa një fond tjetër i ri me grante parashikohet të mbështesë 470 biznese krijuese sidomos në fushën e artizanatit.
Referuar vitit bazë 2013, MZHETS parashikon që numri i të punësuarve në vitin 2020 të rritet me 40 %, ose 116 mijë vende të krijuara në sektorin privat jo-bujqësor.
Qeveria përmes Komisionit të Ndihmës Shtetërore ka miratuar një fond vetëm për fermat sipërmarrëse për rritjen e qtyre ergzistuese dhe krijimin e bizneseve femërore që do të vijojë për 5 vjet. Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse ka në dispozicion 26,5 milionë lekë, që do të jepet në formën e pagesës së interesave për kredi për gratë që duan të rrisin investimet në bizneset e tyre, kryesisht ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorët prodhues, shërbimit, në industrinë fason, turizëm, kërkim-zhvillim, agropërpunim, dizenjim, modelim dhe artizanat. Për një ndërmarrje, skema për 4 vjet do të mbulojë 50 % të normës së interesit me një shumë jo më të madhe se 1 milionë lekë për një kredi. /a.ke/