TIRANE, 1 Dhjetor/ATSH, Nini Mano/- Ndërtuesit e pallateve në zonat periferike në Tiranë kanë nisur të ulin cmimet e shitjes së apartamenteve nga 10-15 % për shkak të uljes së kërkesës blerëse dhe uljes së kreditimit nga bankat.
Cmimet e ulura pasqyrojnë thyerjen e rezistencës së ndërtuesve, të cilët po ulin ndjeshëm çmimet e apartamenteve të mbetura stok, por kjo tendencë nuk reflektohet në zonat brenda Unazës ku çmimet e apartamenteve luhaten 750-850 euro/m2.
Agjenci të ndryshme të pasurive të paluajtshme, tregu kryesor i shit-blerjeve në Tiranë thonë se pas 4 vitesh, ka nisur ulja e cmimeve të apartamenteve, ndërsa po ashtu ka rënë niveli i ndërtimeve të reja të pallateve nga frika e rritjes së stokut e mungesa e lejeve të ndërtimit.
Prej tyre pohohet fakti që rënia e çmimeve vërehet kryesisht në periferi të Tiranës, ku apartamentet kushtojnë 350-450 euro/m² ku çmimet e shitjes janë më të ulëta nga sa afishohen për shkak të transaksioneve mes shitësit dhe blerësit.
Prej vitit 2008 sektori i ndërtimit nuk e ka zbatuar rregullin bazë të tregut me kërkesë-ofertat ku çmimi duhej të kishte nisur rënien nga ulja e kërkesës. Fluksi i madh i emigrantëve përgjatë viteve të para në 10-vjetëshin e fundit rritën blerjet, por prej vitit 2008 nisi ulja e sipas ekspertëve, lidhet me ngopjen e tregut dhe kriza financiare ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, një treg i pakontrolluar sic duhet në ndërtim, nxjerr në dukje mungesa të mëdha në zonat periferike kryesisht, ndër të cilat, mungesa e banesave me hipotekë, infrastruktura e pa plotë në periferi, por dhe cilësia e ndërtimit, ku shpesh mungojnë lidhjet kryesore të shërbimeve jetike.
Dhe ndërsa tendenca tregon rënie të çmimeve të banesave në periferi, po del në dukje një tjetër fenomen, rritja e shitblerjes së trojeve kryesisht nga kompani ndërtimi, të cilët në pritje të lejeve të reja të ndërtimeve, e dinë se kur të vijë koha, apartamentet do të shiten përsëri më shtrenjtë.
Nga ana tjetër, ulja e kërkesës së emigrantëve për të blerë apartamente, lidhet me interesin e tyre duke blerë njësi shërbimesh, tregtie për t'i dhënë me qera si dhe në blerje trojesh dhe tokash.
Tendencat që po pasqyron sot tregu i shitblerjes së apartamenteve në Tiranë po shfaqet dhe në qytetet kryesore si Vlorë, Durrës, Korce, ku stoku i ndërtimeve ka ndikuar në uljen e cmimeve të banesave. /a.ke/












