"Kjo humbje është hapi i parë i ciklit të ri të kësaj kombëtareje", tha trajneri Carlo Ancelotti, duke u përpjekur të përtypë një eliminim shumë të dhimbshëm, si për fazën e turneut ashtu edhe për mënyrën se si erdhi.
Brazili u mposht 1-2 nga Norvegjia në 1/8-at e Kupës së Botës 2026, por ekipi i Ancelottit humbi një 11 metërsh me Guimaraes në minutën e 14-të të sfidës, gjë që mund të ndryshonte fatet e kualifikimit.
"Është e qartë se jemi të gjithë thellësisht të trishtuar, ne të stafit teknik dhe lojtarët, po aq sa edhe tifozët, sepse ndoshta skuadra nuk po zhvillonte një Botëror spektakolar, por turneu ynë ishte padyshim i mirë dhe sot e meritonim fitoren.
Zhvilluam një pjesë të parë shumë pozitive dhe krijuam disa raste kur rezultati ishte ende 0-0. Po e kontrollonim ndeshjen dhe kishim mundësi për të shënuar. Kishim vendosur të mos ushtronim presion shumë lart, duke pasur parasysh karakteristikat e kundërshtarit, që ishte shumë i rrezikshëm në kundërsulme.
Gjithçka shkoi mirë për 70 minuta, pastaj erdhi Haaland dhe vendosi fatin e ndeshjes", tha ai.
Çfarë lë pas ky Botëror?
"Nga ana e rezultatit, mbetet një përvojë zhgënjyese dhe një ndjenjë e madhe trishtimi. Por mbetet gjithashtu një përvojë shumë e bukur dhe një grup pune i shkëlqyer. Dua t'i falenderoj djemtë për atmosferën që krijuan.
Jo gjithmonë gjërat shkojnë ashtu siç dëshirojmë ne dhe jo gjithçka është gjithmonë perfekte. Sot nuk e meritonim të humbnim, por në këtë analizë duhet marrë parasysh edhe kundërshtari, një ekip me lojtarë të shkëlqyer që bënë diferencën", vijoi ai.
Natyrisht, trajneri u pyet edhe për zgjedhjen e goditësit të penalltisë, pse Bruno Guimaraes dhe jo Vinicius, edhe pse sulmuesi i Real Madridit ka gabuar disa penallti gjatë karrierës.
"Para ndeshjes bëmë një analizë statistikore të penalltive të goditura dhe të realizuara gjatë muajve të fundit. Më i miri ishte Raphinha, pastaj Neymar dhe më pas Igor Thiago. Asnjëri prej tyre nuk ishte në fushë.
Nga lojtarët që po luanin, më i miri ishte Bruno Guimaraes dhe për këtë arsye ai e goditi penalltinë. E zgjodhëm sepse besonim se ishte alternativa më e mirë", tha Ancelotti.
E ardhmja - "Dhe tani? Tani duhet ta përballojmë këtë trishtim të madh dhe duke filluar nga nesër, të mendojmë për të ardhmen e kësaj kombëtareje, e cila tashmë ka një grup të rinjsh shumë interesantë, lojtarë me përvojë që janë ende të fortë dhe veteranë që mund të vazhdojnë", tregoi ai.
Ancelotti nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ekipi në këtë moment të vështirë. Ai është i bindur se mund ta rikthejë Brazilin në majat e futbollit dhe ka katër vjet kohë për ta bërë këtë.
Përpara Botërorit ai rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2030, edhe sepse ky turne, i përgatitur vetëm në 13 muaj, varej nga shumë faktorë emocionalë dhe sportivë që nuk ofronin garanci të plota.
Brazili ëndërronte të fitonte "Hexa", titullin e gjashtë botëror, por tashmë do të duhet të presë të paktën 28 vjet pa yllin e shumëpritur të gjashtë. Kurrë më parë nuk kishte pritur kaq gjatë, edhe pse kurrë nuk i ka munguar talenti.
Lajmi kryesor:
Super Haaland me dopietë, Norvegjia mposht 1-2 Brazilin pesë herë kampion bote dhe e eliminon nga Botërori! Erling kap Messin e Mbappe me gola










