Përveç seancave stërvitore lojtarët e kombëtares kanë mbajtur veshur jelekët special të monitorimit edhe në ndeshjen me Katarin. Këta jelekë janë mbajtur nën fanellë dhe kanë grumbulluar të dhëna mjaft të rëndësishme për stafin teknik. Mësohet se lojtarët janë monitoruar me kujdes për kilometrat që secili prej tyre ka bërë në fushë dhe ai që ka vrapuar më shumë në fushë se të tjerët ishte Andi Lila, që në total përshkoi 12.8 kilometra gjatë 90 minutave.
 
Burim Kukeli, sikurse dihet, pësoi një dëmtim serioz gjatë finales së Kupës së Zvicrës, Lugano-Zurich, dhe e la fushën i gjakosur e i fashuar. Duke qenë se kishte pak gjakrrjedhje, stafi mjekësor i kuqezinjve e ka dërguar mesfushorin në një spital aty pranë, për t’ia pastruar plagën. Mësohet se nuk ka ndonjë krisje, apo dëmtim të rëndë, që mund ta kushtëzojë lojtarin të mos jetë në finalet e “Euro 2016”, edhe pse tronditja ka qenë e madhe.
 
Mbërrin edhe lojtari i fundit pranë kombëtares kuqezi. Fjala është për Ergys Kaçen, mesfushorin e PAOK-ut të Selanikut, i cili ka zbarkuar dje në Aeroportin e Gracit, në orën 12:50. Aty ka ardhur sipas itinerarit Selanik-Mynih-Grac dhe është pritur nga punonjës të qendrës stërvitore austriake, ku po zhvillon përgatitjet ekipi ynë kombëtar. Ndërkohë, parmbrëmë, natën, i janë bashkuar kombëtares edhe Frederik Veseli me Burim Kukelin, të ardhur nga Zvicra.


Redaksia Shqiptarja.com