Andoni: Bundestag/ Fitorja më e madhe: Na kanë parasysh

Andoni: Bundestag/ Fitorja më e madhe: Na kanë parasysh

Shqipëria po kalon një cak, që realisht nuk e përmbush, ashtu si mëtojnë me të drejtë shumë kritikë. Ka të ngjarë që vendimi i Bundestag-ut shoqëruar me kërkesat e veta të jetë një ogur i mirë në këtë stad deziluzioni të përgjithshëm dhe përçarje pakufi që po jetojmë ne shqiptarët. Vetëm se një gjë dihet qartë: Pak ditë pas 18 Tetorit asgjë nuk do të na ndryshojë, edhe sikur Shqipërisë do t’i hapeshin apo edhe nëse kushtet e Bundestag shtuar me Jo-në e Francës dhe Holandës të na propozonin një datë tjetër. Fakti është se Shqipëria me kushtet aktuale thjesht po tregon trendin e përmirësimit demokratik, që duhet të na gëzojë, por asesi arritjen e shumë parametrave, për të cilat bërtet në çdo moment Opozita dhe premton Maxhoranca.

E njëjta situatë, kuptohet jo e kësaj rëndësie, ka qenë e lidhur edhe me hapat e tjerë  fillestarë të integrimit, por sidomos anëtarësimi ynë në NATO. Masa besonte se futja në NATO do ta ndryshonte Shqipërinë sa hap e mbyll sytë. Ashtu si dihej, nuk ndodhi ashtu. Krizat janë të njëjta kurse ndarja politike është po kaq e madhe, varfëria rritet, investimet mungojnë, vrasjet nuk rreshtin, kurse shqiptarët ashtu si ballkanasit e tjerë vetëm ikin. Shqipëria me kapacitetet që ka, shkatërrimin që i bëri shërbimit ushtarak, infrastrukturën e saj të mangët nuk do mund të anëtarësohej po të mos ishte në mes elementi gjeostrategjik. Në emër të tij kryesisht dhe jo fare pak për një lloj respekti që institucionet kanë ndaj shqiptarit të thjeshtë për shkak të kohës nën diktaturë, flamuri shqiptar valëvitet sot i barabartë mes të barabartëve në selinë kryesore të NATO-s në Bruksel.

Një e tillë situatë, por kuptohet jo e asaj rëndësie gjeostrategjike, por e një rëndësie tjetër do jetë në javët në vazhdim me përballjen e Këshillit të Evropës për Hapjen e Negociatave. Dhe, më mirë nga të gjithë këtë situatë e shprehu Florian Hahn, zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU për Evropën, kur drejtoi pyetjen retorike para mëdyshjes së kolegëve të tij deputetë: “Çfarë të bëjmë, ta lëmë Shqipërinë vetëm?” teksa pak sekonda  më vonë lëshoi një gjë edhe më të hidhur: “Do të humbim një rast historik, nëse i kthejmë shpinën Shqipërisë”.

Shqipëria ka fatin e konjukturave dhe mbi të gjitha trendin e saj të pamohueshëm evropian, që e respekton çdo shqiptar paçka përkatësisë. Sado kondita që të na vihen, ato janë të pranueshme, pasi shumë mirë ato mund t’i kenë të papërmbushura sot e kësaj dite Kroacia, Bullgaria dhe Rumania, për të mos thënë edhe një sërë vendesh që janë anëtarë prej vitesh të BE-së, por ajo që duhet të mbetet në kujtesë nga vendimi i Bundestag-ut është predispozita për të na parashikuar si pjesë të kësaj familje.

E bezdisshme mbetet nga qeveria aktuale dhe jo më pak maxhoranca mënyra sesi i bien tam- tameve dhe e shëmtuar nga ana e opozitës, që gati po gëzon, pse vendit tonë i kujtohen probleme. Shqipëria ka probleme sepse ne kemi një vend të tillë, që e kemi menaxhuar  në këtë udhë dhe që ende nuk po dimë ta vendosim atje ku duhet. Shqipëria është kjo që është edhe për faktin se ka një politikë që për interesat e saj meskine është gati t’i verë flakën Shqipërisë. Por që është sërish jona dhe e dy krahëve kryesore të politikës.

Vendimi i Bundestag-ut që me shumë gjasë do të tërheqë dhe Francën, por ende Hollandën e pasigurt, është një shenjë që Shqipërinë e marrin seriozisht dhe kjo është gjëja më e madhe në këto ditë. Frika nga turbullirat, kaosi jo i rrallë dhe pa harruar dhe forcimin e Serbisë dhe mbi të gjitha dihatjen e Rusisë afër, janë të gjitha ogure të mira. Kjo e bën të arsyeshme tryezën për Reformën Zgjedhore në Tiranë, që me shumë gjasë do të marrë jetë shpejt, ashtu si zgjedhjet e parakohshme, elementë që Edi Rama me shumë mundësi do t’i ketë parasysh për të zbutur tensionet artificiale të politikës sonë ende amatore.

Ndaj, anëtarësimet e Shqipërisë, caqe të cilat politika jonë nuk i llogarit si fitore të konjukturave por i fut në CV-të e veta, për të tërhequr turmën, janë një fat por edhe fryt i qenësisë në konjukturat Euro-Atlantike, e cila në fakt është një nga arsyet pse Shqipërisë i jepet vazhdimisht një dorë, duke e mbyllur me mirëkuptim një sy. Të paktën, Florian Hahn, më pastër se kaq nuk mund t’ua thoshte deputetëve të vet. (Javanews)

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lewis Hamilton s'e ka të lehtë, 32 komandat e timonit të Ferrarit që duhen mësuar përmendësh

Lewis Hamilton s'e ka të lehtë, 32 komandat e timonit të Ferrarit që duhen mësuar përmendësh