Protesta në Tiranë vijon në ditën e 103-të saj. Kreu i ‘Lëvizjes Bashkë’, Arlind Qori i ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se ka marrë pjesë në protestë bashkë, por nuk është organizator dhe as nuk krahasohet me popullin aty.

“Aty proteston populli. Padiskutim aty ka aktivistë të ‘Lëvizja Bashkë’ por nuk krahasohen me popullin. Ne si parti kemi idenë që nuk është mirë që të bllokohen kryqëzimet, ia kemi thënë edhe protestuesve. Në atë protestë unë besoj se kanë marrë pjesë qindra qytetarë. Ky është një proces shumë i rrallë edhe në botë, që të bëhet një protestë e tillë”, tha Arlind Qori.

Ndërkohë analisti Ben Andoni në një lidhje të drejtpërdrejtë tha se njerëzit po kërkojnë një Shqipëri që u takon atyre.

“Në shesh kanë dalë fasha të ndryshme të popullsisë. Mllefi është kaq i përmbledhur te njerëzit. Deri tani është protestë nuk është lëvizje. Protesta ka bërë diçka: që shqiptarët kanë filluar të kërkojnë një Shqipëri që u takon atyre”, tha Ben Andoni.

Qori nga ana tjetër tha se ajo që kërkojnë protestuesit është që të kenë një zhvillim të mëtejshëm të vendit e tyre.

“Në protestë shoh shumë të rinj dhe të rinj. Megjithatë ka disa prej tyre që kanë frikë të dalin në protestë. Me këtë protestë po hyjmë në një fazë të re, çështja nuk është më a kemi shtet por çfarë shteti kemi, a do të kemi një ekonomi vitale apo një ekonomi gjysmë feudale, a do të kemi të drejta në punë. Kjo protestë nisi për çështje mjedisore. Shoqëria shqiptare po piqet. Tani po shohim filizat e një Shqipërie të re”, tha Qori.

Ai foli edhe për zgjedhjet vendore të 2027, ku tha se do të jetë kandidat për kryetar bashkie në Tiranë.

“Unë jam kandidat i Lëvizjes Bashkë për vendoret e 2027. Por unë mendoj se zgjedhjet lokale janë shumë larg, sepse objektivi parësor i protestës është rënia e qeverisë. sot kemi një proces që kërkon një ndryshim radikal për Shqipërinë. E kam thënë disa herë që Rama nuk e mbyll mandatin, sepse ai ka bërë një fitore të forcuar”, tha Qori.

“Ndryshe nga Qori unë mendoj se zgjedhjet lokale nuk kanë kohë. Cikli i Ramës dhe Berishës kanë kohë që kanë përfunduar. Partitë e tyre nuk na përfaqësojnë ne”, shtoi Andoni teksa theksoi se  ‘Shqipëria ka nevojë të emancipohet, por mesa shoh reflektimi është shumë i pakët’.

Në fund të intervistës, Qori shtoi se në Shqipëri ka akoma prapambetje ekonomike, përderisa qytetarët janë akoma në ‘luftë’ për tokat.

“Ne mbetemi akoma në luftë për tokën. Kjo tregon akoma prapambetjen ekonomike. Thirrja Shqipëri e Re është si thirrje e viteve 20-30, por gjërat kanë mundësi të ndryshojnë”, përfundoi Qori teksa shtoi se ata nuk janë organizatorë të protestës.

“Lëvizja Bashkë”, shkojmë në protestë por nuk jemi udhëheqës, sepse nëse një parti udhëheq protesta zvogëlohet. Ne nuk kërkojmë protagonizmin, ne kërkojmë vetëm komunikimin e mirë me qytetarët.