Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizareta e vlerëson vendimtare këtë javë për skuadrën e tij dhe është i bindur se katalanasit janë të përgatitur për ta përballuar me sukses presionin e dy sfidave tejet të rëndësishme, kundër Çelsit (sot në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve) dhe kundër Real Madridit (të shtunën në ndeshjen që vlerësohet se mund të jetë vendimtare për titullin e kampionit në Spanjë).

“Kjo do të jetë një javë vendimtare, sepse jemi duke punuar që nga korriku për të marrë frytet, që pikërisht në këtë kohë vilen. Ky është momenti kur varen fatet e një edicioni të tërë. Çdo lojtar duhet të jetë i përgatitur për këtë”, ka theksuar Zubizareta.

Ai mendon se është e pamundur të parashikosh rezultatin e një gjysmëfinaleje të Ligës së Kampioneve, qoftë kjo edhe përplasja Çelsi-Barcelona.

“Sfida sot ndaj Çelsit është gjysmëfinale dhe si e tillë, nuk është e vërtetë se njëra palë apo tjetra është më e favorizuar. Ky lloj pohimi ka vlerë vetëm për ‘bookmakers’. Ka lojtarë shumë të mirë në të dyja skuadrat, të cilët jam i sigurt se do të japin të mirën e tyre”, ka nënvizuar Zubizareta.(rb/shqiptarja.com)