Princi William dhe Princesha Catherine kanë reaguar për herë të parë lidhur me dosjen ‘Epstein’, ku ka rezultuar i përfshirë ish-princi Andrew.
Një zëdhënës i familjes mbretërore të Uellsit deklaroi se ata janë thellësisht të shqetësuar.
“Mund të konfirmoj se Princi dhe Princesha kanë qenë thellësisht të shqetësuar nga zbulimet e vazhdueshme”, tha zëdhënësi.
Andrew Mountbatten-Windsor u zhvesh nga titujt mbretërorë dhe është larguar nga rezidenca e tij.
Një organizatë bamirësie e themeluar nga ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, ish-Dukesha e Jorkut, do të mbyllet për një kohë të pacaktuar pas publikimit të email-eve ku ajo e quante Epstein ‘një legjendë’ dhe ‘vëllai që gjithmonë kam dëshiruar të kisha’.
Ish-princi Andrew më parë ka kërkuar falje për lidhjet e tij me Epstein, por ka mohuar me forcë çdo shkelje.
Zbulimet e vazhdueshme në SHBA kanë rritur presionin mbi ish-princin Andrew, i cili është përballur me thirrje për të dhënë dëshmi në Kongresin Amerikan.
Së fundmi është zbuluar se udhëtimi në New York që Andrew Mountbatten-Windsor këmbëngulte se kishte qenë vetëm për të “shkëputur lidhjet” me Jeffrey Epstein ishte, në fakt, një fundjavë e zgjatur pesëditore, gjatë së cilës ata u takuan me figura të njohura, përfshirë edhe një modele të Victoria’s Secret.
Ish-princi deklaronte se kishte shkuar vetëm për t’i thënë financierit pedofil se nuk mund të ishin më miq pas dënimit të Epstein për kërkim të një të miture për prostitucion. Por dokumente komprometuese të publikuara nga hetuesit amerikanë sugjerojnë një axendë të mbushur me takime dhe mysafirë të tjerë, përfshirë modelen letoneze Lana Zakocela, atëherë 21 vjeçe.
Epstein madje organizoi një darkë luksoze në nder të Andrewt në rezidencën e tij në Manhattan, me vlerë 60 milionë paund.
Andrew dhe Epstein gjithashtu diskutuan mundësi të ardhshme për biznes dhe u fotografuan së bashku duke ecur në Central Park.
Në intervistën e tij për Newsnight në vitin 2019, Andrew, i cili tani 65 vjeç, tha se qëllimi i vetëm i udhëtimit në dhjetor 2010 ishte t’i thoshte lamtumirë Epsteinit ballë për ballë. Por emaile të zbuluara së fundmi tregojnë një histori tjetër.
Komente









