Anëtarësimi/ Çështja e Kosovës nuk është në rendin e ditës së Këshillit të Ministrave të KiE

Anëtarësimi/ Çështja e Kosovës nuk është në rendin e ditës së Këshillit të Ministrave të KiE

“Çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme dhe në këtë periudhë nuk mund të themi se kur mund të jetë”, i tha të mërkurën Zërit te Amerikës, zëdhënësi i kësaj organizate Daniel Holtgen, por pa dhënë më shumë hollësi.

Këshilli mblidhet javën që vjen dhe pritej që të votonte për kërkesën e Kosovës, e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.

Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duket se u bë “thembra e Akilit” në përpjekjet e Kosovës, sikundër është pika më e nxehtë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e cilësoi “absurd” dhe të papranueshëm një kushtëzim të tillë.

“Draft statuti i (Miroslav) Lajçakut dhe emisarëve të tjerë të Quintit si dokument dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument, pra është një non-paper. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgoj dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese, kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, tha kryeministri Kurti të mërkurën.

Dy ditë më parë pas një takimi me diplomatët e vendeve kryesore perëndimore në Prishtinë ai bëri thirrje që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, meqë këto procese janë të ndara.

Por, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili është në fund të mandatit, tha se këto procese “janë shumë të lidhura”. Këshilli i Evropës, tha ai, “ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe Asociacionin”.

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit, i cili duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit. Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Serbia u vu në fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse me marrëveshjen e Ohrit zotohet të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja