Pas mbërritjes së letrës së Presidencës spanjolle të shpejti nisin bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Greqia është tërhequr përkohësisht nga kushti për çështjen Beleri. 

Letra e presidencës spanjolle të Bashkimit Europian, me kërkesën për paraqitjen e udhërrëfyesve për kapitullin e parë të procesit të bisedimit për anëtarësim, ka mbërritur në Shqipëri.

Ajo është  miratuar nga këshilli i përfaqësuesve të përhershëm në Bashkimit Europian, pas negociatave diplomatike të Gjermanisë dhe presidencës spanjolle të BE për të bindur Greqinë që mos bëhej pengesë.

Ndërsa Shqipëria po përgatitej për hapin e dytë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, Greqia lajmëroi se do bllokonte procesin për shkak të pakënaqësisë me të cilën po trajtohej çështja e Fredi Belerit.

Por, Athina u tërhoq duke e cilësuar dhënien e letrës si procedurë dhe se do trajtonte Belerin si kusht në vazhdim. Ngërçi tani u kalua dhe bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë në BE, nisin së shpejti me shqyrtimin e dy temave thelbësore.

E para është çështja e sundimit të ligjit, dhe çështja e dytë është reforma në administratë. Procesi i bisedimeve pritet të jetë i gjatë për disa vite por përfundon me anëtarësimin final