Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, u përcolli një mesazh kandidatëve për magjistratë gjatë ceremonisë së hapjes së vitit të ri akademik në Shkollën e Magjistraturës, duke theksuar se e ardhmja e vendit në BE është e lidhur ngushtë me forcimin e sistemit të drejtësisë. Ajo tha se reforma në drejtësi mbetet një kusht themelor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se pa përparim në fushën e sundimit të ligjit, procesi i negociatave nuk mund të ecë përpara.
Ambasadorja u shpreh se gjatë mandatit të saj do të punojë për të mbështetur Shqipërinë në përmbylljen me sukses të negociatave të anëtarësimit, ndërsa nënvizoi se sistemi i drejtësisë duhet të vijojë të forcojë efikasitetin, pavarësinë dhe llogaridhënien. Sipas saj, këto janë objektiva thelbësore të reformës së nisur në vitin 2016 dhe qëndrojnë në themel të Kapitullit 23 të negociatave me BE-në.
Duke iu drejtuar magjistratëve të ardhshëm, Moreira de Sousa tha se nuk dëshiron t'u ngarkojë atyre të vetëm përgjegjësinë për të ardhmen e reformës në drejtësi, por i ftoi ta shohin të ardhmen si një mundësi. Ajo theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do t'u krijojë mundësi të reja për shkëmbim përvojash me kolegë evropianë, specializim profesional dhe pjesëmarrje në një komunitet më të gjerë gjyqësor.
Deklarata e plotë e Ambasadores së BE-së
"Takimet e para që kam zhvilluar që prej mbërritjes sime në Tiranë i janë kushtuar institucioneve të drejtësisë në Shqipëri dhe mundësia për të qenë sot këtu, në Shkollën e Magjistraturës, është në shumë mënyra përmbyllja më e përshtatshme e këtij raundi të parë takimesh njohëse.
Të jem këtu mes kandidatëve për magjistratë — të ardhmes së sistemit të drejtësisë në Shqipëri — është një mundësi veçanërisht domethënëse. Tashmë të gjithë e dini rëndësinë që ne i kushtojmë sistemit të drejtësisë, si dhe konsolidimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi, e cila mbetet një kusht themelor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Prandaj, sot nuk do të flas për sfidat dhe çështjet që diskutojmë në takimet tona institucionale. Përkundrazi, më lejoni t’ju drejtohem thjesht si profesionistë që po nisin këtë rrugëtim të ri në këtë Shkollë prestigjioze dhe të ndaj me ju disa mendime për atë që ju pret përpara.
Puna ime si Ambasadore gjatë viteve të mandatit tim këtu në Tiranë do t’i kushtohet mbështetjes së Shqipërisë për përmbylljen me sukses të negociatave të anëtarësimit dhe, shpresojmë, anëtarësimit së shpejti në Bashkimin Evropian. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë përpara, derisa të përmbushen të gjitha kushtet.
Sistemi i drejtësisë duhet të vijojë të konsolidojë përpjekjet për përmirësimin e efikasitetit gjyqësor, ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimin e llogaridhënies — të gjitha objektiva thelbësore të reformës në drejtësi të nisur në vitin 2016.
Përparimi i mëtejshëm në këto fusha është thelbësor, pasi ato qëndrojnë në themel të Kapitullit 23, një prej kapitujve më të rëndësishëm të negociatave të anëtarësimit — kapitulli që hapet i pari, por mbyllet i fundit.
Prandaj, mund ta kuptoni pse, ndërsa negociojmë me Qeverinë shqiptare për çështjet ekonomike dhe fusha të tjera, sundimi i ligjit mbetet thelbësor. Pa përparim në fushën e sundimit të ligjit, procesi i anëtarësimit nuk mund të ecë përpara.Dhe kjo nuk lidhet vetëm me negociatat e anëtarësimit. Sundimi i ligjit është një prej vlerave themelore të vetë Bashkimit Evropian. Brenda Unionit mund të kemi mosmarrëveshje për shumë politika dhe çështje — siç është e natyrshme në shoqëritë demokratike — por angazhimi ynë i përbashkët ndaj vlerave themelore është ai që e bën Bashkimin Evropian jo vetëm një bashkim ekonomish dhe mundësish, por mbi të gjitha një Union vlerash.
Nuk dua që sot të vendos mbi shpatullat tuaja përgjegjësinë për të ardhmen e reformës në drejtësi, sepse, në fund të fundit, ajo do të jetë një përpjekje e përbashkët e të gjithëve.
Përkundrazi, do të doja të përqendrohesha tek e ardhmja si një e ardhme plot mundësi dhe jo sfida. · Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të krijojë gjithashtu mundësi të reja dhe konkrete për secilin prej jush: mundësi për të shkëmbyer përvoja me kolegë magjistratë në të gjithë Evropën, për t’u zhvilluar profesionalisht, për t’u specializuar, për të mësuar më shumë nga sistemet dhe praktikat e ndryshme gjyqësore dhe, sigurisht, për të zgjeruar rrjetin tuaj të kolegëve dhe mundësitë për trajnim.
Ai do t’ju hapë një dritare drejt një bote të jashtëzakonshme dijesh dhe specializimi, veçanërisht ndërsa legjislacioni evropian vijon të zhvillohet dhe zgjerohet. Shpresoj që ta shfrytëzoni këtë mundësi me entuziazëm dhe ta shihni veten si pjesë të plotë të kësaj komuniteti gjyqësor evropian. Këto tre vite trajnimi do të jenë padyshim kërkuese. Jam e sigurt se e drejta e Bashkimit Evropian është tashmë pjesë e kurrikulës suaj. Por përgatituni: kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian gjatë karrierës suaj profesionale, e drejta e BE-së nuk do të jetë thjesht diçka që e studioni këtu, në Shkollën e Magjistraturës. Ajo do të bëhet pjesë e jetës suaj të përditshme profesionale.
Sepse zbatimi i së drejtës së BE-së mund të ketë një ndikim shumë konkret në jetën e njerëzve — nga mbrojtja e mjedisit dhe të drejtat e konsumatorit, te lëvizja e lirë e mallrave dhe punëtorëve, privatësia dhe mbrojtja e të dhënave, të drejtat procedurale dhe shumë fusha të tjera që prekin qytetarët çdo ditë.· Rrugëtimi juaj si magjistratë do të jetë një proces i të mësuarit gjatë gjithë jetës. Leximi nuk përfundon kurrë. Të mësuarit nuk përfundon kurrë.
Një parakusht për këtë është të mbeteni mendjehapur, kureshtarë dhe modestë. · Integriteti dhe pavarësia juaj, të kombinuara me njohuritë profesionale më të forta të mundshme, do të jenë në fund të fundit ndër kontributet më të rëndësishme që mund t’u jepni njerëzve të cilëve do t’u shërbeni — jetës së atyre që një ditë do të paraqiten para jush në sallat e gjyqit ose do të kërkojnë këshillën tuaj profesionale. Prandaj, ndërsa nisni këtë kapitull të ri, ju uroj entuziazëm, kureshtje dhe kurajo.
Dhe mezi pres t’ju takoj sërish — ndoshta në aktivitetet e kësaj Shkolle, sigurisht në aktivitetet e ardhshme që do të organizohen nga projektet tona të financuara nga BE-ja dhe, shpresoj, së shpejti, pse jo, si profesionistë në institucionet e BE-së. Ju uroj një vit të ri akademik sa më të mbarë dhe ju falënderoj shumë" tha ajo
Lajmi kryesor:
Viti i ri akademik/ Rakipi-magjistratëve të ardhshëm: Mos u ndikoni nga pushteti! Ambasadorja e BE: Drejtësia ka ende punë për konsolidim









