Të dërgosh para në euro jashtë vendit tani kushton shumë më pak, thotë Banka e Shqipërisë, duke njoftuar rënien e ndjeshme të transfertave bankare për Shqipërinë, Malin e Zi dhe për Maqedoninë e Veriut.
Duke iu referuar një studimi të Bankës Botërore, Banka e Shqipërisë shpjegon se për një transfertë prej 5 mijë eurosh, kostoja ka zbritur nga 0.76% në vitin 2024 në vetëm 0.08% në 2025. Praktikisht është rreth 10 herë më lirë, ose afro 90% ulje.
Edhe për transfertat më të mëdha ndryshimi është edhe më i madh. Për 20 mijë euro, tarifa ka rënë nga 0.47% në 0.02%, rreth 23 herë më pak, ose mbi 95% ulje.
Kjo do të thotë më pak para të shpenzuara për çdo pagesë ndërkufitare në euro, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë flasin për rreth 70 milionë euro kursim në vitin e parë për ekonominë shqiptare, falë uljes së kostove të transaksioneve nëpërmjet SEPA-s.
Përveç tarifave më të ulëta, transfertat pritet të jenë edhe më të shpejta dhe më të sigurta, duke e afruar sistemin financiar shqiptar më pranë standardeve të Bashkimit Evropian.
Çfarë është SEPA?
SEPA, ose Zona Unike e Pagesave në Euro, përfshin 41 shtete, mes tyre edhe Shqipërinë. Vendet anëtare janë të detyruara të kryejnë dhe të pranojnë pagesa në euro për individë, biznese dhe institucione, brenda dhe mes vendeve të zonës, me të njëjtat kushte dhe rregulla si për një pagesë kombëtare në euro.
Shqipëria u bë pjesë e SEPA-s në vitin 2024, pas një procesi harmonizimi rregullator, përditësimi të infrastrukturës dhe testimesh teknike, si edhe vendimit për të ulur komisionet bankare për pagesat në euro.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes më 7 tetor të vitit 2025, një transfertë elektronike në euro nga Tirana në Bruksel përpunohet dhe kushton njësoj si një pagesë në euro nga Tirana në një qytet tjetër të vendit.
Komente










