Një kërkesë e bërë nga kandidati për prokuror të përgjithshëm, Ylli Pjetërnika, për përjashtim të anëtarit të KLP Vatë Staka nga shqyrtimi i procedurës për zgjedhjen kryeprokuror futi në sherr gjatë gjithë ditës anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pasi debatuan për orë të tëra se kur do ta shqyrtonin këtë kërkesë, mbledhja u riçel në orën 15:30 por u mbyll pas thuajse një orë e gjysmë pa asnjë rezultat. Anëtarët e organit qeverisës të sistemit të prokurorisë kanë debatuar ashpër duke kërkuar përjashtim të njëri-tjetrit por edhe duke u ofenduar reciprokisht si të pashkollë.
Debati nisi kur vetë anëtari Vate Staka, për të cilin kërkohej përjashtim, kërkoi që nga shqyrtimi i kërkesës së kandidatit Pjetërnikaj të përjashtohej anëtari Zeqir Hoda. Ky i fundit pas shumë debatesh kërkoi që nga kjo shqyrtimi i kësaj kërkese të fundit të përjashtohej anëtari tjetër Sokol Stojani. Hoda dhe Stojani u përplasën me fyerje ndaj njëri-tjetrit, ndërsa Sokol Stojani u përfshi edhe në ngacmime me kryetaren e KLP Mirela Bogdani, me të cilën shpesh ka pasur përplasje të ashpra.
Gjatë gjithë këtij debati, në siklet anëtarë të KLP, si Erind Mërkuri nuk rrinin në tavolinë gjatë këtij debati.
PJESË NGA DEBATI:
Zeqir Hoda:: Është njoftuar opinioni dhe media po e ndjek objektin e kësaj procedure. Në vijim të kësaj procedure u parashtrua një kërkesë tjetër, ndërkohë që objekti për të cilin ne jemi mbledhur ende nuk është bërë i ditur. Lexojeni kërkesën e z. Pjetërnikaj. Edhe po s’e bëtë ju do ta bëj unë sepse ju dhunshëm nuk më nxirrni dot nga kjo sallë, asnjëri prej jush s’më nxjerr dot.
Mirela Bogdani: Çfarë duhet të bëj. Z. Pjetërnikaj ka bërë kërkesë pë z. Staka, a duhet të jetë Staka? Duhet të jetë e qartë procedura.
Sokol Stojani: Kërkesa që bëhet nga një aplikant, si Ylli Pjetërnikaj, duhet të shqyrtohet nga Këshilli. Por e para duhet të shqyrtohet nëse duhet të jetë apo jo z. Hoda
Mirela Bogdani: Po pse kërkesa e dytë duhet sqaruar e para?
Sokol Stojani: Atëherë, nëse nuk e kupton...
Mirela Bogdani: Jo, kam nevojë të ma sqarosh se nuk e kuptova.
Sokol Stojani: Më thjesht se kaq nuk di.
(debat pa mikrofon)
Sokol Stojani: O zonja Riza hiq dorë nga ky shumësi. Mos e lësho gojën ashtu. Leje shumësin.
Zeqir Hoda: Tani i bie që unë të kërkoj përjashtimin e z. Stojani për mënyrën se si arsyeton kërkimin e z. Staka.
Sokol Stojani: Po kërkoje
Zeqir Hoda: Unë dyshoj nga objektiviteti i z. Stojani, dhe kërkoj përjashtimin e tij nga shqyrtimi i kërkesës së z. Staka për përjashtimin tim
Sokol Stojani: Unë po them se edhe qeshja e zonjës kryetare ishin muhabete kot.
Zeqir Hoda:: Kërkoj zbardhjen e procesverbalit dhe pastaj të shqyrtohet kërkesa ime për përjashtimin e z. Stojani.
Sokol Stojani: Qeshjet dhe nënqeshjet e zonjës kryetare, ndaj unë kërkoj përjashtimin e saj sepse tregon një qëndrim. Tani kjo po banalizohet. Nga pyetja juaj zonja kryetare që të kërkosh se si duhet mbajtur rendi...
Zeqir Hoda:: Për mua qëndrimi që mbajti z. Stojani është arsye që të përjashtohet. Sapo e shprehur qëndrimin.
Sokol Stojani: Ti ke probleme me formimin.
Zeqir Hoda: Kjo është arsye tjetër që unë kërkoj përjashtim, paragjykimi që z. Stojani bën për formimin tim.
Sokol Stojani: Çdo kërkesë duhet të ketë arsyetim logjik. Se mund të ketë edhe arsyetime si ai i z. Hoda që “jam djalë i zgjuar se e kam shtëpinë afër bibliotekës”
Mirela Bogdani: T’i lemë këto komente, të rrijmë të procedura
Sokol Stojani: Duket që z. Hoda është i stresuar.
Zeqir Hoda:Shiko anën tënde emocionale.
Sokol Stojani: Po bëhemi qesharakë...ai ka bërë shkollën natën.
Zeqir Hoda: Nuk presionohem nga adresime të tilla, aq më tepër nga ky personi që i adreson. Do përgjigjet. Z. Stojani duhet të përjashtohet...i dituri me 4 klasë shkollë.
Sokol Stojani: E ka humbur z. Hoda....znj. Kryetare ju qeshët në mënyrë ironike teksa unë jepja opinionin tim.
Mirela Bogdani: Nuk besoj të kem qeshur.
Sokol Stojani: Nëse do biem në këtë lloj banaliteti të vazhdojmë. Unë do të kërkoj përjashtimin tuaj.
Ledina Riza: Më vjen zor që jam në këtë tavolinë…të arrijë niveli i diskutimeve në të tilla banalitete nuk i takon kësaj tavoline. Kërkohet përjashtim jo pse qeshe e pse jo. Të respektojmë kandidatët që kanë aplikuar dhe publikun. Nuk e di nëse mund të qëndrojë në këtë tavolinë.
Sokol Stojani: Ky këshill nuk është më në terezi, ta marrin vesh të gjithë...
Zeqir Hoda: Kjo që po bën z. Stojani tani është presion mbi këshillin. Ky është presion
(Më pas regjistrimi mbledhja u mbyll pa dhënë një datë tjetër)
Lajmi kryesor:
Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm në ngërç, përplasen ashpër anëtarët e KLP: Jemi me vonesë, emrat s’kanë shkuar ende në ILDKPKI. Kandidati Pjetërnikaj kërkon përjashtim të anëtarit Vate Staka








