Profesor Doktor Anastas Angjeli kritikon një lloj ngurtësie, që vihet re në aplikimin e të drejtës së BSH për të ndryshuar normën e interesit, ndërkohë që mund të ishte treguar më aktive.
"Nuk kishte pse të pritej që inflacioni të shkonte pranë zeros, që të merrej masa e pritur, e uljes së normës së interesit"- deklaron Angjeli ne nje intervistë të botuar sot në gazetën "Shqiptarja.com".
Profesor Angjeli, si e vlerësoni vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës qendrore për të ulur me 25 pikë bazë normën e interesit?
Pa dyshim, është një hap pozitiv, por, fatkeqësisht, i vonuar. Do të kishte patur efekte më të mira, në rast se Banka do të vepronte më shpesh, në përputhje me situatat e krijuara në ekonominë e vendit, me instrumentin e normës së interesit bazë.
Në drejtim të uljes, apo të rritjes së kësaj norme?
Aktualisht, drejtimi i vetëm në dobi të ekonomisë së vendit dhe interesave të shtetit e të qytetetarëve do të ishte ulja e normës. Por, e kam fjalën më globalisht. Banka e Shqipërisë çdo muaj bën një vlerësim të tendencave të ekonomisë së vendit, në konteksin e problematikës ekonomike ndërkombëtare, si rajonale, evropiane, ashtu edhe botërore. Në një moment të caktuar mund të vendoset për rritje të përkohshme, në një moment tjetër, rritja është e vetmja zgjidhje. Shohim se këtë vit është ndërhyrë dy herë, vitin e kaluar tri herë, por në vitin 2010 BSH e ka parë me vend të ndryshonte normën e interesit vetëm një herë, në muajin korrik, ndërkohë që kriza botërore ishte në kulm. Po kështu, në vitin 2009 BSH ndërhyn vetëm dy herë, kurse në vitin 2008 la një normë shumë të lartë, në nivelin 6.25 për qind, që nuk e ndryshoi për më shumë se 12 muaj rresht. Mendimet e ekspertëve të fushës kanë qenë se Banka duhej t'i paraprinte situatës së rënies së konsumit, të brendshme e të jashtme, e jo të vepronte pasi dukej qartë tendenca negative.
Për ç'arsye mendoni se BSH nuk e ka këtë dinamikë në marrjen e vendimeve të saj?
Kjo varet nga fakti se është zgjedhur një politikë tepër konservatore për t'u zbatuar, ndërkohë që duhej optuar për një politikë më fleksibël, më dinamike. Situatat kanë ndryshuar shumë më me shpejtësi, në vend dhe jashtë tij dhe përballë këtyre situatave duhet vepruar me shpejtësi. Vendimet që merr një institucion si Bankë e Shqipërisë kanë efekte të rëndësishme për ekonominë e vendit. Nuk kishte pse të pritej që inflacioni të shkonte pranë zeros, që të merrej masa e pritur, e uljes së normës së interesit. Duhej të merreshin masa paraprakisht.
Mund të bëjmë ndonjë paralelizëm midis politikave të bankës sonë qendrore me ato, të ndjekura në vendet e tjera në këtë periudhë?
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës banka qendrore e uli shumë më shpejt normën e interesit, duke e afruar me zeron. Në vendet e eurozonës dhe vendet e tjera të BE-së kjo ndodhi më me kujdes. Rezultati ishte që SHBA e kaluan më lehtë dhe më shpejt situatën, ndërkohë që shumë vende evropiane patën dhe kanë akoma situata të papëlqyera. Pasi konstaton tendencat në treg, brenda dhe jashtë, duhet të veprosh me shpejtësi, por kjo kërkon një guxim të konsiderueshëm.
(Intervisten e plote mund ta lexoni sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)