Angjelin Nënshati, fotografi që fiksoi jetën e një qyteti

Angjelin Nënshati, fotografi që fiksoi jetën e një qyteti

Angjelin Nënshati, fotograf

E kujtoj dhe tani Angjelin Nënshatin!... Takoheshim shpesh. Më pyeste gjithëherë i pari: “Hë, artisti..! Si të shkojnë punët?” Dhe unë ia ktheja me dashamirësi: “Ç’kemi Angjo..?” Ai largohej, siç e kish zakon shpejt e shpejt, dhe si mirësjellje prej miku më linte ca margaritarë rrëzëllitës: buzëqeshjen e fytyrës, sytë që i shkëlqenin-dritë dhe zërin e ëmbël gazmor si prej zogu.

E kujtoj dhe tani Angjelin Nënshatin!.. Më saktë, ma bëri ta kujtoj emrin e tij një album i shtrenjtë për mua që e gjeta papritur... Ishte albumi i dasmës sime. Ma ka bërë mjeshtri Nënshati me mjeshtërinë e tij të pazakontë! Po e shfletoja... Sillja ndërmend vite dhe plot kujtime. Sillja ndërmend përkujdesjen e tij të përkorë. Lëvizte shumë. Nuk mërzitej asnjëherë. Me zërin e ëmbël të thoshte herëpashere: “Kujdes dorën... Pak më tej... Qeshu pak... Ashtu, ashtuu! Hë, gati... Gati!.. – dhe trak shkrepte aparatin..” Dhe kështu, në ritualin e tij aparati shkrepej pafund...

Edhe unë isha një nga familjet e shumta shkodrane, që Mjeshtrin Nënshati e kisha ‘pjesëtar’... E kisha dëshmitar i një dëshmie të shtrenjtë dhe të paharrueshme, atë të dasmës! Për këtë isha dhe jam fatlum!.. Lumturi që nuk e fsheh!

E kujtova edhe para ca ditësh... Në fakt, e kujtuam së toku shkodranët dhe më gjerë... në ekspozitën retrospektive të këtij fotografi të shquar me foto të rralla të periudhës së diktaturës deri në fillimet e 90-ës. E kujtuam në Muzeun “Marubi”. Në pasurinë prej mrekullie të “Marubit”, fotografi Angjelin Nënshati po shfaqte madhështinë e fotografisë së tij...       

Ishte fotografi i fundit, më i vjetri që kishte qyteti im, Shkodra. Arkiva e tij numëron rreth 228 000 imazhe të shkrepura në film rul 24 x 36 mm, foto që mbartin një sigël të përbashkët: “Nënshati”. Kjo pasuri kulturore që shtohet dita-ditës nga djemtë e tij, e vë denjësisht artistin Nënshati përkrah emrave të mëdhenj të fotografisë shqiptare, si Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta.

Angjelin Nënshati u lind në Shkodër më 12 dhjetor 1929. Studimet e para i ndoqi në Kolegjin Saverian. Mbas mbylljes së tij, vazhdoi shkollën e mesme të përgjithshme në gjimnazin “28 Nëntori”. Nga viti 1948 deri në vitin 1957 punoi si mësues në shkollat e Pukës dhe të Shkodrës. Që në rini ka pasur pasion të madh për profesionin e fotografit. Ishte 14 vjeç kur hyri në laboratorin-atelier të fotografit të njohur Rraboshta. Në Pukë ka krijuar laboratorin e parë fotografik në vitin 1948. Deri më 1957, është marrë me fotografinë si amator, më pas e vazhdoi si profesionist. Me shtetëzimin e repartit të fotografisë, që nga viti 1958 e deri në vitin 1990 ka punuar fotograf profesionist dhe është shquar si i tillë, duke fiksuar ngjarjet më të rëndësishme të historisë së qytetit të Shkodrës e më gjerë. Vdiq më 18 prill 2008, në moshën 79-vjeçare, në Shkodër.

Ashtu, thatim në fytyrë, i qeshur e i përzemërt gjithmonë, teksa u shpërndan njerëzve mirësi e nur, ecën me hap të shpejtë. Gjithmonë shpejton: në mëngjes, në mesditë, në muzg. Shpesh e zë nata dhe në udhë. Jo si një udhëtar i vonuar, por si një njeri i mirë, fjalëpakë e i heshtur, që ka 50 vjet që s’e ndan nga dora “mikun e tij të ngushtë të jetës” aparatin fotografik. Dhe ka 50 vjet me këtë aparat fotografik që diçka (e vazhdon) t’i thotë qytetit të tij të lindjes e kohës. Me artin e tij kërkon të mos u mbetet borxh ditës e njerëzve. Ndaj shpejton e shkrep, shkrep e shpejton... “Foto Nënshati”. Dhe për këtë mision fisnik, Shkodra, vendlindja e tij, i është përherë mirënjohëse.

Për fotografin pasionant Angjelin Nënshati nuk gabon po të thuash se, jeta është kthyer në lëvizje. Ndoshta më mirë se çdo lloj metafore a krahasimi flet kjo bisedë e zhvilluar 12 vjet më parë, e nxjerr nga arkivi im.

Xh. B. – Kur zgjoheni në mëngjes?

Fotografi – Zgjimi mund të them se është i orëve të para të mëngjesit, sepse shpesh herë më zgjon edhe preokupimi po i them unë, një farë kasaveti për punën që pres me ba gjatë ditës ose edhe punën që kam si porosi me e krye brenda një kohë të caktueme ose të kërkueme. Kështu që shpesh herë kasaveti më zgjon herët, por rregullisht ora 7.00 më gjen në kambë.

Xh. B. – Sa jeni i lidhur me shtëpinë, familjen, dhe me rrugicën e fëmijërisë?

Fotografi – Më ke prekë një temë të dashur për mue. Eh, more lum djali, në qoftë se mbërrijmë në rezultate të mira të punës, pa sakrificë nuk i mbërrin. E tham këtë se, e vërteta asht se e kam ndjek jetën familjare me dinjitetin e një qytetari të mirë, por di me shtue që jo si neglizhim, por si vëmendje, ja kam kushtue ma shumë punës se sa familjes.

E, ajo rrugicë që përmendet asht lindja e jetes seme. Dhe mund të them si sy fotografi, unë asnjëherë nuk e shoh njësoj. Çdo ditë, dy-tri herë që mund ta përshkoj e shoh ndryshe, sepse aty shoh edhe jetën e familjes seme, të rrugicës teme, por edhe të qytetit tem. Është gati-gati si një puls që mat edhe jetën e qytetit. Unë kam pasë në jetën teme një shans se kam qenë i rrethuem me njerëz që kanë emër në Shkodër. Kam pasë në krah familjen e Jakovës, pra, Dedë, Prenkë, Ndoc Jakova. Kam pasë ma poshtë familjet: të Cepëve, të Tafrrukëve, të Demajve, të Shirokës, të Koçobashit. Ma e rëndësishmja asht se kam fillue me hedhë hapat e para po të thuash të pregatitjes seme morale-shpirtërore dhe artistike në oborrin e Katedrales, ku ndër mësuesit, edukatorët e mi kanë qenë: Kardinal Koliqi, Dom Ndre Zadeja, Dom Zef Shestani. Si shembull jete kam pasë djaloshin e ri Ndoc Jakova, “Martir i Demokracisë”.

E veçanta e kësaj rrugice asht jeta që të përshkon nëpërmjet përpjekjeve, por asht ma shumë fizionomia e saj që ka ruejtë bukurinë e vet, ka ruejtë dinjitetin e ka qitë këto njerëz që përmenda me nderim.

 “Ma i bukri në kët dhe asht Shkodra ku kam le.”

Ishte kjo kangë që këndonim kur ishim të vegjël. Krenar jam për Shkodrën. Këtë kangë e kënduan edhe të parët e mi.

“...Shkodra ku kam le”-asht nderi ma i madh i prindërve të mi. Në qoftë se Shkodra për herë më sjell frymëzim, arsyeja asht se në çdo mëngjes unë jam biri i saj.

Xh.B. – Gjithmonë shpejtoni, asnjëherë nuk ju kam parë të ecni ngadalë? E vërtetë?

Fotografi – Gjithmonë shpejtoj, lum miku! Koha ikën, kohën e vlerësoj...

Xh. B. – Sa miq ka Foto “Nënshati”?

Fotografi – Miq... Unë jam përherë në lëvizje. Rrugëve të qytetit tem, kënaqem kur përshëndetem me to. Janë të gjithë miqtë e mi. I kam të gjithë për zemër dhe më merr malli me u pa me to.

Xh. B. – Emri Shkodër ju përmallon dhe ndjeni dhembje? Përse?

Fotografi – Kam shumë dhembje e dashuri për Shkodrën. Është qyteti i andrrave të mija. Deri më sot: çdo hap, çdo punë, çdo gur kam mendue me e vu për Shkodrën.

Xh. B. – Profesionin tuaj e keni përcjellë edhe te fëmijët?

Fotografi – Nisem nga shikimet te prindërit tonë e kështu që edhe fëmijët tonë të nisen nga prindërit. Kënaqësia ma e madhe e imja asht trashëgimia. Sepse unë në punën teme jam mundue me shkrue historinë e qytetit tem. Kam kënaqësinë e madhe që edhe fëmijët e mi të shkruajnë këtë histori nëpërmjet fotografimit. Çdokush me profesionin e vet përpiqet me lanë gjurmët e tija. Me anën e profesionit tem “shkruaj” jetën e gjatë të qytetit tem. E dua qytetin sa edhe profesionin. E dua profesionin aq sa edhe veten. Dua që qytetin ta shoh të bukur, përpiqem te fotografia me fiksue jo sensacionet, por një realitet të gjallë që interpreton një mendim, një ngjarje. Nëpërmjet fotografive “shkruaj” historinë e qytetit tem. E ndjek jetën në qytet, në çdo qelizë të saj dhe përpiqem ta fiksoj bukur. Se, o lum miku, trashëgimi në breza vjen si ai gjaku ndër damarë, vjen me një përzierje me të gjitha virtytet e mira që trashëgojmë nga një prind. Për me krijue, me ruejtë, duhet mund, mend dhe kohë. Me shkatrre asht kollaj. Fotografia don edhe mendim regjisorial. Edhe unë si dhe paraardhësit e mi, si Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta; ndoqa atë lloj ndërtimi, formova fototekën që përfshin punët e mija të 50 viteve me gjithë ngjarjet e qytetit tem. Ky është amaneti em, testamenti em për Shkodrën. Kështu lanë para meje si V. Prendushi kur thotë: “O kujtime fletë të prarueme / shkonin e ndalnin në male e kodra, / e më diftoni lumninë që pat Shkodra”. Apo Dom Ndre Zadeja: “O bir, e lumja Shkodër që të lindi që të ka, / Shkodra me dashtë me lule ngre një kala / Shkodra lind e perëndon si dielli/ e vdes ngjallet”.

Xh. B. – Si e organizoni kohën?

Fotografi – Nuk mund të them se një ditë më ikën kot. Sikur s’e pranoj... (qesh) Nuk ndjehem mirë, për rrjedhojë edhe dita është e pakënaqshme, kur nuk kam fiksue një ngjarje të qytetit tem. I them vetes: Si më iku kjo ngjarje? Se unë ngjarjet i ndjekë edhe pa ftesë.

Xh. B. – Teknika e fotografisë në këtë kohë, është zhvilluar mjaft, ju vazhdoni me aparatin klasik?..

Fotografi – Teknika... nuk them se nuk ka ecë teknika, por unë aparatin tem nuk e lëshoj nga dora deri në pikën e fundit. Ka mjete të sofistikuara, mënyra të reja regjistrimi, por unë personalisht e shoh përsëri të dobishme fiksimin me aparat fotografik... se ende nuk më asht plakë vullneti, nuk më asht plakë syni. Eci shpejt, dhe nuk kam nevojë për gjyzlykë. Jo vetëm kaq por edhe një porosi që më jepet e regjistroj në mendje, nuk përdor kurrë letër. Deri më sot me klientin nuk kam mbajtë shënime...

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë