Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka refuzuar që ajo të marrë vaksinën AstraZeneca pasi nuk i përket asaj grupmoshe. "Unë nuk i përkas grupmoshës së rekomanduar për AstraZeneca," i tha zonja Merkel gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung. Vaksina AstraZeneca aktualisht është aprovuar vetëm për nën 65 vjeç në Gjermani dhe zonja Merkel është 66 vjeç.

E pyetur nëse asaj mund t’i bëhej vaksina Pfizer/Biontech për të reklamuar vaksinimin, ajo tha se kjo është diçka e drejtë, teksa u shpreh se dozat duhet t’i jepen kryesisht personave më të rrezikuar nga virusi.

 “Unë mendoj se është e drejtë, përveç kategorisë më të rrezikuar dhe të moshuarve, që së pari të ftohen grupet e popullsisë që nuk mund të mbajnë distancën e tyre në punë. Ne mund të ulemi në një distancë të madhe nga njëri-tjetri gjatë intervistës. Një mësuese e kopshtit, një mësuese e shkollës fillore, nuk mund ta bëjë këtë. Këta janë njerëzit që duhet të marrin radhën përpara dikujt si unë”, tha Merkel.