Autoritetet gjermane kanë arrestuar një shtetas ukrainas në landin e Brandenburgut rreth 85 kilometra në perëndim të Berlinit, i dyshuar për spiunazh në favor të shërbimeve sekrete ruse, bëri të ditur Prokuroria Federale e Gjermanisë.
I dyshuari, i identifikuar si Vadym Y., dyshohet se ka qenë në kontakt me një shërbim sekret rus, përmes një ndërmjetësi, që prej të paktën korrikut të vitit 2025. Sipas prokurorëve gjermanë, ai dyshohet se ka mbledhur informacione me rëndësi ushtarake, përfshirë të dhëna mbi prodhimin e mjeteve të blinduara, municioneve dhe lëndëve shpërthyese.
Gjithashtu, ai akuzohet se ka siguruar informacione për personelin dhe instalimet ushtarake që lidhen me mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s. Autoritetet bëjnë të ditur se një pjesë e informacionit ishte e disponueshme publikisht, ndërsa të dhëna të tjera dyshohet se janë siguruar përmes kontakteve me persona të lidhur me industrinë evropiane të mbrojtjes.
Arrestimi vjen në një kohë kur Gjermania ka shtuar masat për t'iu kundërvënë aktiviteteve të dyshuara të spiunazhit, sabotazhit dhe sulmeve hibride që, sipas autoriteteve gjermane, lidhen me Rusinë. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar për rritjen e kërcënimeve ndaj sigurisë së vendit, duke përmendur edhe fushatat e dezinformimit dhe operacionet e dyshuara të inteligjencës ruse.
I dyshuari pritet të dalë përpara një gjyqtari hetues në Gjykatën Federale të Drejtësisë, i cili do të shqyrtojë urdhrin e arrestit dhe do të vendosë nëse ai do të mbahet në paraburgim. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ndaj të dyshuarit prezumohet pafajësia.











Komente
Komento