Ditë e vështirë për Bayern Munich dhe tifozët e tij. Trajneri Vincent Kompany ka humbur ndjenjat gjatë një seance stërvitiore të ekipit U-23 dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e qytetit për ekzaminime të mëtejshme.

Tekniku belg po vëzhgonte stërvitjen e ekipit të dytë kur papritur u rrëzua në tokë. Menjëherë ndërhyri ekipi mjekësor që e transporti në spital me helikopter. Nuk vonoi shumë dhe Bayern Munich bëri një sqarim për situatën e tij.

"Vincent Kompany është nën kujdesin mjekësor. Ai duhej të merrte trajtim këtë të premte pasi u ndje keq gjatë një seance stërvitore të ekipit të dytë. Kompany u shtrua në spital për analiza të mëtejshme dhe do të mbetet nën vëzhgim mjekësor. Deri në njoftim të mëtejshëm, stafi i tij teknik do të menaxhojë stërvitjen dhe ndeshjet,"-shkruan Bayern.

Kompany kishte kaluar ditët e fundit një infeksion viral, i cili e kishte detyruar të mungonte në disa seanca stërvitore dhe në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Arsenalin në Champions League.

Shëndeti i trajnerit mbetet prioriteti kryesor, ndërsa Bayern Munich i ka uruar atij një rikuperim sa më të shpejtë.