ANGLI - Një ish informator për policinë dhe shërbimet e inteligjencës shqiptare është arrestuar nga policia angleze, pasi akuzohet për një vjedhje, një vit më parë në një banesë në Coventry në Angli.  Shpëtim Goxhaj, 39 vjeç, ishte arratisur ditën që gjykata do të merrte vendimin lidhur me vjedhjen e kryer, i frikësuar për një esktradim të mundshëm në Shqipëri pasi në të kaluarën përmes informacioneve të dhëna kishte ndihmuar në vënien pas hekurave të kriminelëve, ndërsa nuk i është ofruar mbrojtje nga qeveria shqiptare.
 
Shqiptari, një vit më parë kishte tentuar të grabiste një shtëpi në Coventry, në kohën kur në banesë kishte persona të cilët sinjalizuan policinë. Më pas kapja e tij ishte bërë përmes kamerave të sigurisë.
 
Goxhaj e kishte pranuar krimin në Gjykatë, por kishte thënë se e kishte kryer vjedhjen për motive financiare, dhe se e kishte informuar gjykatën për frikën e tij për një dëbim të mundshëm drejt Shqipërisë pasi i kishte mbaruar koha e qëndrimit në Angli. 39 vjeçari kishte treguar se për shkak të detyrës së tij të mëparshme kishte ndihmuar në kapjen dhe burgosjen e kriminelëve, 2 prej të cilëve me burgim të përjetshëm, ndërsa tha se nuk i ishte ofruar mbrojtje nga ana e qeverisë shqiptare.  Teksa pritej të merrte dënimin për vjedhjen Goxhaj ishte arratisur nga Gjykata, i frikësuar për një kthim të mundshëm në atdhe.
 
Ndërkohë edhe avokati i tij Richard Gibbs tregon se Goxhaj e ka kryer vjedhjen për arsye financiare pasi nuk kishte para për të jetuar.
"Ai ka frikë nga dy familje të veçanta në Shqipëri . Anëtarët e këtyre familjeve janë dërguar në burgim të përjetshëm si rezultat i informacionit të dhënë nga ai, por autoritetet shqiptare kanë refuzuar t’i ofrojnë atij mbrojtje."
Nga ana tjetër Shpëtim Goxhaj kishte ezauruar të gjitha ankesat e tij ndaj refuzimit të lejes për të qëndruar në Britani të Madhe , që do të rezultonte edhe me dërgmin e tij në atdhe, pas shlyerjes së dënimit

Nga frika e deportimit të tij të mëvonshëm , ai u largua nga gjykata. Ndërkaq një oficer i policisë i pranishëm në gjykatë gjatë dëshmisë së tij, e njohu atë pas një viti në një bar kafe, çka solli edhe arrestimin e tij përfundimtar. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)