Këtë të martë janë zhvilluar tetë ndeshjet e radhës kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Anglia fitoi 0-5 në Letoni duke u bërë skuadra e parë nga Evropa që merr një biletë për në Kupën e Botës. Gordon, Kane 2x, Eze dhe autogoli i Tonisevs i dhanë tri pikë Anglisë. Në Grupin K, tri pikë siguroi edhe Serbia që përmbysi 1-3 Andorrën. Në këtë grup bën pjesë edhe Kombëtarja jonë, e cila mban vendin e dytë dhe në 13 nëntor ka finalen kundër Andorrës në udhëtim, për të siguruar vendin e dytë që të dërgon në play-off.
Italia fitoi 3-0 kundër Izraelit në Udine dhe ka siguruar matematikisht zonën play-off nga Grupi I. Retegui me dopietë dhe Mancini i dhanë tri pikë të kaltërve. Për t’u theksuar se në Udine pati protesta kundër Izraelit.
Në Grupin E tri pikë siguroi edhe Spanja, e cila mposhti 4-0 Bullgarinë me golat e Merino (2x), autogoli i Chernev dhe Oyarzabal.
Në Lisbonë, Portugalia u ndal 2-2 nga Hungaria. Cristiano Ronaldo me dopietë shënoi për luzitanët, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kualifikueset e Kupës së Botës me 41 gola.
Kualifikueset e Kupës së Botës, 14 tetor 2025:
Estoni 1-1 Moldavi
Andorra 1-3 Serbi
Irlanda 1-0 Armenia
Itali 3-0 Izrael
Letoni 0-5 Angli
Portugali 2-2 Hungari
Spanjë 4-0 Bullgari
Turqi 4-1 Gjeorgji
Komente





