MEKSIKE - Më shumë se 4000 njerëz kanë zbritur nga një anije lundrimi pasi u bllokuan për shkak të përfshirjes së motorit nga flakët që shkaktuan ndërprerjen e energjisë dhe lënien e anijes në mes të detit prej 6 ditësh. Anija luksoze “Carnival Triumph” mbeti një javë pa karburant midis gjirit të Meksikës.

Pasagjerët thanë se kanë përjetuar një situatë dramatike për shkak të mungesës së energjisë elektrike, mungesës së ushqimeve, madje u regjistruan edhe përleshjet e para rreth ushqimit.

Dëshmitarët përshkruanin se turistët flinin jashtë kabinave, ku gjendja ishte e padurueshme, duke thënë se ujërat e zeza kishin dalë mbi hollin e anijes, pasi pajisjet e tualeteve ishin bllokuar.

Gjatë këtyre ditëve, një anije e kompanisë “Carnival Legend” i ka ardhur në ndihmë anijes “Triumph” duke sjellë ushqim dhe rezerva, me ndihmën e barkave të shpëtimit.

Kapiteni i anijes ka premtuar se do t’ju kthehen paratë të gjithë udhëtarëve të “Triumph”, përfshirë edhe paratë e shpenzuara për blerjet e bëra në anije.

Anija ka mbërritur në brigjet e portit të Alabamas, në Mobile, teksa pasagjerët e irrituar kanë shpërthyer me reagimet e tyre dhe kanë kërkuar menjëherë rimbursimin e biletave.

Shoqëria zotëruese e anijes është edhe operatori i anijes lundruese “Costa Concordia”, e cila u mbyt në brigjet italiane vitin e kaluar, duke vrarë 32 persona.

Redaksia Online
(l.c/shqiptarja.com)