Anila Misso: Unë femra e
parë me kitarën e ndalua

Anila Misso: Unë femra e<br />parë me kitarën e ndalua
TIRANE - Anila Misso vjen e përpiktë në takimin tonë, në hyrjen e pasme të Liceut Artistik. Njihemi me hamendje dhe menjëherë pas shtrëngimit të duarve, më pyet:”Më prisje më të vjetër?” Gazetarëve nuk u lejohet të “prononcohen”, por realisht nuk e kisha menduar fare se si mund të ishte Anila. Për mua ishte e bukur që kisha gjetur një femër kitariste profesioniste shqiptare.

Kaq më kishte mjaftuar duke lënë çdo surprizë në takim. Ia kisha vënë këtë synim vetes pas kisha zbuluar me kënaqësi qasjen e vajzave adoleshente në kitarë, gjatë një koncerti Unplugged të Akademisë Moderne Hollyëood. Vajza të reja që luajnë dhe këndojnë në kitara jo vetëm solo por edhe në grup këngë moderne, hite të njohura të cilat patjetër që I këndojnë edhe në shoqëri gjatë festave apo kohës së lirë.

Ia them Anilës dhe ajo pohon. “Ka pasur një boom pas viteve 90.Po të hysh në Liceun Artistik do të kuptosh sa është rritur numri, po flas në aspektin profesional, sepse për hobi është rritur jashtëzakonisht shumë. Vajzat i konkurrojnë goxha mirë meshkujt. Në këto moment që flasim, vajzat janë në nivelet më të mira në lice. Në numër pothuajse baraz janë.”

Këtë e kisha kuptuar nga frekuentimi i kurseve private, por ajo që më interesonte ishte pikërisht ndryshimi i statusit të këtij instrumenti të dashur për të gjithë por shpesh si një mollë të ndaluar. Ndaj e ngacmoj për të shkuarën, për atë kohën para pragut të viteve 90 të cilën Anila e saktëson: “Vitet 80 do të thosha unë”.

E pyes për shkollën, për zgjedhjen e saj drejt kitarës që sot është pjesë e familjes Misso ku përvec dy bashkëshortëve është edhe vajza e tyre gjithashtu e diplomuar në kitare. Një histori e thjeshtë që zbulohet po aq natyrshëm dhe me disa kufij… Historia e kitaristes së parë profesioniste femër në Shqipëri.

Kitara ka një histori të copëzuar shqiptare para dhe pas viteve 80-90….
Kanë ekzistuar kurse të vogla edhe në këto shtëpitë e pionerit që kanë qenë në rrethe. Këtu njiheshin si kitaristë profesionistë, Alfons Balliçi që kishte mbaruar shkollën e lartë dhe ishte një kitarist i shkolluar, Pirro Misso, edhe ky teoritik, Mehdi Prodani, matematicien por i pasionuar jashtë mase ndaj kitarës duke e njohur atë me nota,. Këta kanë qenë tre nga shumë të tjerët që kanë vënë themelet e para të hskollës së kitarës, pa iu futur akoma aspektit profesional.

Kështu psh Pirro Misso ka qenë në Lushnje, Balliçi në Elbasan, dhe të gjithë njerëzit e tyre duke përfshirë edhe femrat që kishin familje mësonin kitarë. Në Korçë e kanë pasur traditë kitarën për serenatat që bënin. Mësonin privatisht për kitarën, në mënyrë autodidakte, me cfarë të kishin mundësi. Tani flasim për vitet 80. Për herë të parë në Shqipëri dega e kitarës është bërë profesionale , pra është hapur për herë të parë në vitin 1985. Nuk hapej kitara më parë.

Përse?
Ishte vegël e borgjezisë, e të gjithave. Shpesh Edin në festivale e vinin pas pianos, për ta fshehur dhe dukej vetëm koka e Edi Missos dhe Edi Xhanit. Dilnin dy kokat në piano që të mos dukej kitara nga salla. Më kujtohet në një recital që bëri Edi në televizion, i panë njërën dorë me thonj, u bë nami në komitet qendror. Ç’është ai mashkull me thonj? Kështu pas vdekjes se Enver Hoxhës, në shtator, u hap dega e kitarës. Unë kam qenë brezi i parë i degës që është hapur dhe kam qenë në klasë me Bledar Seikon dhe Genci Djebrean që u bë kitarist i shkëlqyer dhe jep mësim në Austri. Me modesti duhet ta them se jam femra e parë shqiptare, që kam mbaruar kitarë.

Si shkuat tek kitara?
Kam qenë tetë vjet për violinë. Që kur isha 6 vjec dhe atë vit, hapej për herë të parë kitara në liceun artistic. Prof zhani ciko më dëgjoi në violinë por atë vit kishte shumë konkurrentë në violinë. Ai I thotë nënës sime se përse nuk më fuste në kitarë. Ajo edhe pse intelektuale I thote:uh vajzë me kitarë? E tmerrshme”. Kur më thanë mua unë u cmenda nga gëzimi sepse më dukej përrallë, unë një femër me kitarë. Dhe do bëja shkollën tamam sic duhej. Luftë e madhe mes prindërve por më në fund fitoi kitara. Bëra konkursin dhe dy profesorët e parë që kanë dhënë mësim janë Edison Misso dhe Eduard Anaxholli.

Edison Misso….
Po, im shoq. Unë mora edhe kitarën edhe burrin. (Qesh)

Kishit diferencime në fillim për shkak se ishit femër?
Në Lice nuk ndihej, por kur dilja përjashta dhe kisha kitarën në krah, kisha ngacmime të papara nga njerëzit. Cfarë nuk thoshin… “U bëre ti që t’I biesh kitarës”, “Burri që po kalon”… Unë atëherë isha e brishtë, e vogël dhe kitara dilte më e gjatë se mua edhe pse Edi më kishte gjetur një kitarë të vogël që të më përshtatej me trupin dhe me duart. Kitara nuk kishim. Kisha një shok që edhe ai u fut për kitarë dhe një ditë e mbaja unë e një ditë Mondi. Dhe shkonte kitara me autobus sa në një vend në tjetrin. Sepse nuk kishim instrumenta. Pastaj u porositën dhe erdhën.

Ndiheshit keq nga fjalët e njerëzve?
Më vinte zor. Sepse më shihnin shtrembër, ishte opinion që të vriste atëherë. Kënaqësi e madhe ishte kur shkoja në plazh që më binte ndonjë kitarë në dorë. Kur i bija, mblidheshin njerëz dhe shikonin duke hapur sytë. Aty nuk reagonin. Pastaj filluan edhe ndryshimet pas vitit ‘89. Kur ishin shumë njerëz nuk guxonte njeri, por ishte një çudi e madhe që një femër t’i binte kitarës dhe të këndonte,

Çfarë këngësh luanit më shumë?
Në atë periudhë ishin këngët e liqenit, ose këngët që bënte Redon Makashi. Edhe Toto Cotungon. Mbaj mend që kur këndonin çunat në katin e katërt të liceut, dëgjonte drejtori poshtë dhe ngjitej me vrap, ndërsa Bledi dhe Genci iknin me vrap nga krahu tjetër. (qesh)

Po Bitëllsat. Si ishte të luaje muzikën e tyre në atë kohë?
Ishte një mrekulli dhe frikë. Bitëllsat I adhuroj edhe sot e kësaj dite. I binim të gjitha këngëve të tyre. Kur merrje kitarën nuk kishte radhë, këndoje çfarë të vinte në mend. Edhe serenatat më pëlqenin të them të drejtën dhe kur I këndoja në një ambjent shoqërie, shoqet më pëlqenin jashtë mase dhe më dëgjonin me vëmendje. Së pari më pëlqenin sepse isha femër.

Kur mbaruat liceun, çfarë ndodhi?
Unë kam mbaruar në ‘89 kur kishin filluar lëvizjet. Pata fatin që në 90-ën pas hapjes së ambasadave u hapën edhe vende pune në Lice kështu që unë 18 vjeç, pa shkollë të lartë sepse dega e kitarës nuk ishte hapur akoma, fillova mësuese. Genci iku jashtë dhe Bledi pasi mori pjesë në grupe emigroi gjithashtu. Kurse unë qëndrova mësuese në lice.

Nuk kishit dëshirë të ishit edhe ju në grupe ?
Mua më tërhiqte më shumë klasikja. E ndikuar edhe nga violina që e studiova për vite. Edhe muzikën moderne e doja, por më pëlqente ky drejtim dhe pastaj më pëlqente mësuesia. Kur unë fillova mësuese I kisha nxënësit thuajse moshatarë. Pastaj bëra një vit specializim, në Salsburg, në Mozarteum dhe kur u ktheva krijova familjen time me Edin. Në ’98-ën u hap dega në Akademi, dhe unë isha me dy fëmijë, isha në punë dhe bëra katër vjet studime. Përsëri isha e para femër që u diplomova në kitarë. Dhe profesor ishte bashkëshorti im përsëri.

Familja i ngadalëson pak hapat në karrierë për më tepër duke qenë të dy në një profesion…
Ky është problem megjithatë është ndihmë e madhe të kesh partnerin në të njëjtin profesion. Një bashkëshort me një profesion tjetër për një femër kitariste nuk është aspak e lehtë.

Do të kishit dashur të ishit në grupe muzikore rroku gjatë kohës së liceut?
Shumë bukur do të ishte, por nuk ishte koha. Shumë gjëra na janë privuar nga ajo kohë që ka qenë. Pastaj edhe drejtimi im klasik më shtynte në kahun tjetër. Kështu është edhe sot. Kam nxënës që pëlqejnë klasiken ndërsa të tjerët shkojnë për nga muzika moderne.

Si shpjegohet që ka kaq pak kitariste në grupe rroku?
Femra është po aq e zonja sa dhe mashkulli që t’i bjerë kitarës. Thjesht është konsideruar si një instrument mashkullor dhe femra spostohet.

Kishte rivalitet mes jush dhe bashkëshortit të paktën në festivale?
Nuk e kam ndierë shumë këtë sepse unë mbarova shkollën dhe më pas filluan ndryshimet politike. Disa vite më pas Edi shkëputet nga Radio sepse filluan festivalet me playback dhe ai është kitarist serioz e nuk mund të bënte sikur luante. Kështu që nuk ka qenë problem. Unë e kam pasur idhull por për ta rivalizuar nuk bëhet fjalë. Vazhdon më jep mend. Është shkollë pa mbarim aty në shtëpi, për cdo gjë konsultohem. Sido që të jetë ai është profesori im.
Shkrimi u botua sot në Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.05.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024