Ankandi i valutës, Banka e Shqipërisë blen 5.8 milionë Euro

Ankandi i valutës, Banka e Shqipërisë blen 5.8 milionë Euro

Banka e Shqipërisë zhvilloi këtë javë ankandin e radhës në programin vjetor të blerjeve të Euros në tregun valutor.

Sipas informacioneve nga tregu, në ankand u blenë gjithsej 5.8 milionë Euro, ndërsa ofertat e paraqitura nga pjesëmarrësit në ankand kishin shumën totale të 8.2 milionë Eurove. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 4 dhe 6 milionë Eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë 4.8 milionë Euro. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte mes 121.66 dhe 121.77 Lekëve.

Veç 4.8 milionë Eurove në raundin e parë, Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në një raund të dytë, për 1 milionë Euro të tjera. Blerjet në raundin e dytë u realizuan me kursin mesatar të ponderuar të raundit të parë, prej 121.73 Lekësh. Shumat e blera në ankandin e fundit janë relativisht të ulëta krahasuar me ankandet e mëparshme dhe me mesataren e gjysmës së parë të vitit.

Për 6-mujorin 2021, Banka e Shqipërisë zhvilloi gjashtë ankande, në të cilat u blenë gjithsej 56.8 milionë Euro, me një mesatare të blerjeve prej rreth 9.5 milionë eurosh për ankand. Në ditët e fundit, Euro ka nisur të rifitojë terren kundrejt Lekut, pasi kishte shënuar një rënie jo të zakonshme për këtë periudhë të vitit. Të mërkurë, Euro u rrit për të gjashtën ditë radhazi dhe u këmbye me 121.69 Lekë.

Sipas ekspertëve, vala e rritjes së çmimeve dhe shtrenjtimi i mallrave të importit mund të jetë një faktor që po krijon pritshmëri për rritje të kërkesës për Euro në treg. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë mund të ulë disi vlerën e blerjeve gjatë këtij tremujori, për të reduktuar presionet nënçmuese mbi kursin e këmbimit të Lekut. Deri në fund të vitit, janë planifikuar edhe tre ankande të tjera për blerje valute, një në muajin nëntor dhe dy në muajin dhjetor. Mbështetur në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, të marrë në dhjetor 2020, gjatë këtij viti parashikohen blerje në tregun valutor të një shume mes 60 dhe 120 milionë eurove.

Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore dhe nuk kanë për qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit. Në fund të muajit gusht, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 4.1 miliardë Euro-ve, 1.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qëllimi kryesor i mbajtjes së rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj, por edhe shmangia e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor, si edhe përmbushja e objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës