Greqia dhe Turqia janë futur sërish në një përplasje diplomatike për Detin Egje. Shkak këtë herë u bë një ligj i ri i miratuar nga Athina, i cili vendos rregulla për ndërtimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe impianteve të ruajtjes së energjisë, duke përfshirë edhe ishujt e Egjeut.
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, Ministria e Jashtme turke deklaroi se në dete të mbyllura ose gjysmë të mbyllura si Egjeu dhe Mesdheu duhet të shmangen veprimet e njëanshme. Më pas reagoi edhe Ministria turke e Mbrojtjes, e cila pretendoi se plani grek përfshin zona "sovraniteti i të cilave nuk i është transferuar Greqisë përmes marrëveshjeve ndërkombëtare". Ankaraja shtoi se do të vazhdojë të mbrojë "të drejtat, interesat dhe shqetësimet" e saj në Detin Egje.
Athina iu përgjigj menjëherë, duke i cilësuar pretendimet turke "të pabazuara dhe krejtësisht të papranueshme".
"Sovraniteti i Greqisë përcaktohet qartë dhe përfundimisht nga traktatet ndërkombëtare dhe nuk mund të vihet në diskutim. Çdo qasje tjetër bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe do të marrë përgjigjen e duhur", thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme greke.
Sipas Athinës, ky nuk është rasti i parë. Ministria greke kujtoi se vetëm pak ditë më parë Turqia kishte kundërshtuar edhe një kuadër të ri rregullator të Greqisë për turizmin, duke shtuar se përsëritja e këtyre reagimeve tregon, sipas saj, "një këmbëngulje në qëndrime revizioniste që nuk kanë bazë ligjore".
Por ligji për energjinë nuk është e vetmja pikë e debatit. Greqia ka shprehur shqetësim edhe për vendimin e Turqisë për të shpallur dy parqe detare, një në Egjeun verior, mes ishujve Lemnos dhe Samothraki, dhe një tjetër në Mesdheun Lindor, që përfshin Kastellorizon.
Sipas Athinës, parku në Egjeun verior pasqyron qëndrimin e Turqisë se kufijtë detarë duhet të përcaktohen nga brigjet kontinentale, duke mos marrë parasysh ishujt grekë. Ndërsa parku në Mesdheun Lindor, sipas Greqisë, izolon Kastellorizon dhe kufizon ndikimin e ishullit në përcaktimin e zonave detare vetëm në ujërat territoriale prej gjashtë miljesh detare.
Nga ana tjetër, Greqia ka shpallur parqe detare në Cikladet Jugore dhe në Detin Jon, për të cilat thekson se ndodhen tërësisht brenda ujërave territoriale greke.
Pavarësisht toneve të ashpra, Athina deklaron se mbështet dialogun dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Turqinë, por nënvizon se e vetmja çështje që njeh si objekt diskutimi mes dy vendeve është përcaktimi i shelfit kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike, ndërsa sovraniteti mbi ishujt e Egjeut, sipas saj, nuk është i negociueshëm.










Komente
Komento