Anketimet: Biden pas Trumpit në pesë nga gjashtë shtetet më të rëndësishme për zgjedhjet

Anketimet: Biden pas Trumpit në pesë nga gjashtë shtetet më të rëndësishme për zgjedhjet

Joe Biden dhe Donald Trump

Presidenti demokrat Joe Biden renditet pas kandidatit kryesues republikan Donald Trump në pesë nga gjashtë shtetet më të rëndësishme për betejën elektorale, një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Sondazhet e publikuara të dielën duken si një reflektim i pakënaqësive në mesin e amerikanëve lidhur me moshën e Presidentit Biden apo gjendjen e ekonomisë.

Anketimet u bënë nga gazeta The New York Times dhe Kolegji Siena. Zoti Trump, i cili kryeson ndër kandidatët republikanë për të marrë emërimin si kandidat i kësaj partie për vitin 2024, kryeson në Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Nevada dhe Pensilvani, ndërsa Presidenti Biden kryeson në Uiskonsin. Presidenti Biden e mundi ish-Presidentin Trump në të gjashta këto shtete në zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump merr tashmë mesatarisht nga 44 – 48% mbështetje në këto shtete, thuhet në anketime.

ÇFARË NËNKUPTOJNË KËTO REZULTATE?

Megjithëse anketimet që masin nivelin e mundshëm të votave në nivel kombëtar kanë treguar vazhdimisht një garë të afërt mes zotit Biden dhe zotit Trump, zgjedhjet presidenciale normalisht përcaktohen nga rezultatet në disa shtete, të mbiquajtura të lëkundura.

Fitorja e zotit Biden në Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin – të gjitha shtete të lëkundura ku pati fituar zoti Trump në vitin 2016 – ishte vendimtare për fitoren e tij në vitin 2020. Zotit Biden do t’i duhet ndoshta të fitojë në disa prej këtyre shteteve për të siguruar rizgjedhjen.

REAGON FUSHATA ELEKTORALE E PRESIDENTIT BIDEN

“Parashikimet e një viti më parë duken zakonisht më ndryshe një vit më pas. Mos pranoni thjesht fjalën tonë për këtë: Gallup parashikoi një humbje prej 8% për Presidentin Obama, ndërkohë që ai fitoi bindshëm një vit më vonë”, u shpreh në një deklaratë zëdhënësi i fushatës elektorale të Presidentit Biden, Kevin Munoz, duke iu referuar fitores së demokratit Barack Obama në vitin 2012, përballë republikanit Mitt Romney.

Zoti Munoz shtoi se fushata elektorale e Presidentit Biden “po punon shumë për të angazhuar dhe mobilizuar bazën tonë të shumëllojshme dhe fitimtare të votuesve, një vit më herët përpara zgjedhjes mes axhendës sonë fitimtare popullore, dhe ekstremizmit jopopullor të republikanëve të MAGA-s (Lëvizja e ish-Presidentit Trump: “Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”). Ne do të fitojmë në 2024-n duke ulur kokën dhe duke punuar, dhe jo duke u shqetësuar nga një anketim”.

SIPAS SHIFRAVE

Anketimet tregojnë se koalicioni i përbërë prej racash dhe gjeneratash të ndryshme i Presidentit Biden duket se po dobësohet.

Votuesit nën moshën 30-vjeçare mbështesin zotin Biden, tashmë në moshën 80-vjeçare, me vetëm një përqind më shumë. Kryesimi i tij në radhët e votuesve hispanikë ka rënë në një avantazh njëshifror dhe avantazhi i tij në zonat urbane është sa gjysma e kryesimit të zotit Trump në zonat rurale, thuhet në anketime.

Votuesit afrikano-amerikanë, një segment qendror demografik ndër mbështetësit e zotit Biden, tashmë rezultojnë me 22% mbështetje në këto shtete për zotin Trump, një nivel mbështetjeje që sipas gazetës The New York Times nuk është parë në politikë për një kandidat republikan në kohërat moderne.

“Isha i shqetësuar që përpara këtyre anketimeve dhe jam i shqetësuar tani”, i tha kanalit CNN Richard Blumenthal, Senator demokrat nga shteti Konektikat.

“Askush nuk do të ketë këtu zgjedhje të lehta... Na është bërë e qartë puna që duhet të bëjmë”, shtoi Senatori Blumenthal./Voa

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan