TIRANE- Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti sot Kryetarin e Parlamentit të Danimarkës, Mogens Lykketoft, i cili vjen në Shqipëri në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe pak ditë pasi Komisioni Europain ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat.

Jam i lumtur që ve re se Shqipëria ka një transformim të jashtëzakonshëm, me ndryshime të thella pozitive, tha zoti Lykketoft dhe kjo është një nga arsyet se pse jam shumë i kënaqur që jam sot këtu. Ky progres është evidentuar edhe në raportin e fundit të KE-së dhe ky është një fakt shumë pozitiv.

“Në takimin me kryetaren e Kuvendit diskutuam çështje të një rëndësie të posaçme për Shqipërinë, në mënyrë që ajo të integrohet plotësisht dhe të vazhdojë përpjekjet e saj në marrjen e statusit kandidat”, u shpreh Lykketoft.

Kryetarja e Kuvendit tha se përshpejtimi i hapava drejt antarësimit në BE është krejtësisht i mundshëm dhe urojmë që opozita do të tregohet e përgjegjshme që të votojë ligjet e integrimit në të mirë të së ardhmes europiane të Shqipërisë.

Duke u ndalur në zhvillimet në rajon Topalli falenderoi Danimarkën për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, duke u shprehur optimiste për të ardhmen e këtij vendi.
(eç/shqiptarja.com)