Antikuari/ Kodiku “I Krishteri
Arbëresh” i dorëzohet Vatikanit

Antikuari/ Kodiku “I Krishteri<br />Arbëresh” i dorëzohet Vatikanit
TIRANE- Kodiku i Kieutit (Codice Chieutino) me titullin “I Cristeri Arbëresh” (I Krishteri Abëresh), i njohur si kopja e një dorëshkrimi të shek. XVIII, shkruar nga prifti arbëresh i Mezzojuso-s së Sicilisë Papas Nicolò Figlia, iu dhurua Bibliotekës Apostolike, të cilin e pranoi Imzot Cesare Pasini nga Bejtullah Destani.

Ceremonia u zhvillua më 15 korrik 2015 në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, ku morën pjesë Prefekti i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, Imzot Cesare Pasini, Ambasadorja e Kosovës në Itali, Bukurie Gjonbalaj, Këshilltari i Ambasadës së Kosovës në Itali, Bejtullah Destani, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Visar Zhiti. Ishin të pranishëm edhe përgjegjësi i Programit Shqip pranë Radio Vatikanit, Dom David Gjugja, dhe Përgjegjësi i Koleksionit Lindor të Bibliotekës Apostolike, dr. Delio Proverbio.

Prefekti i Bibliotekës Apostolike, Imzot Pasini falënderoi përzemërsisht zotin Destani për gjestin fisnik dhe vlerësoi shumë dhuratën tejet të çmuar të historisë së kulturës shqiptare, ‘Kodikun Kieutin’, me të cilën, siç shkruan studiuesi arbëresh Prof. Matteo Mandalà, “Nicolò Figlia e lidhi emrin e tij me historinë kulturore e letrare arbëreshe”. “Kjo vepër, -tha ndër të tjera imzot Pasini, - iu bashkohet veprave tjera të lashta e të rëndësishme të historisë, gjuhës e letërsisë shqipe, që ruhen me një kujdes të jashtëzakonshëm në Bibliotekën Apostolike, si dëshmi e historisë dhe e kulturës së popullit të lashtë shqiptar”.

Kodiku i Kieutit, pohuan imzot Pasini e Destani, “këtu në Vatikan është në dispozicion të të gjithë studiuesve, të cilët duan të njihen nga afër me përmbajtjen dhe vlerën e saj gjuhësore”. Kjo vepër e shkruar nga poeti, teologu e atdhetari papa Nicolò Figlia më 1736-1770, është konsideruar si vepër letrare dhe fetare.

Dhuruesi i Kodikut Bejtullah Destani; Visar Zhiti; përgjegjësi i Programit Shqip pranë Radio Vatikanit, Dom David Gjugja; si dhe Ambasadorja e Kosovës në Itali, Bukurie Gjonbalaj, kanë propozuar pas këtij dhurimi që të mbahen bashkëpunime në të ardhmen mes Bibliotekës Apostolike të Vatikanit dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë. Deri para disa muajsh kodiku bënte pjesë në bibliotekën personale të prof. Namik Resulit, ku qe ruajtur edhe pas vdekjes së studiuesit të njohur, e bija ia dhuroi zotit Bejtullah Destani.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës