Andrea Kimi Antonelli kthehet të bëjë rolin e protagonistit me Mercedesin, me një sukses domethënës në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Miamit në Formula 1. Piloti italian siguroi 'pole positionin' e tretë radhazi duke lënë pas Max VerstappenRed Bull dhe Charles Leclerc të Ferrarit. Pas suksesit në Shanghai dhe Suzuka, 19-vjeçari që është lider i sezonit, ia ka dalë të sigurojë nisjen nga vendi i parë edhe në Miami.

Ky sukses e ka katapultuar tashmë Antonellin në histori, të barabartë me Ayrton Sennën dhe Michael Schumacherin. Ashtu si Antonelli, edhe ata kishin siguruar gjithashtu tre pozicionet e tyre të para në 'pole position' në tre gara radhazi.

Ndryshon orari i garës

Pas një fundjave të ngrohtë dhe me diell, moti i keq ka mbërritur në Florida, duke prishur planet e Formula 1 për ngjarjen e madhe të së dielës. Fillimisht gara ishte planifikuar për në orën 16:00 sipas orës lokale (22:00 sipas orës shqiptare). Megjithatë, kulmi i reshjeve, me rrezikun e stuhive me rrufe që pritet në pasditen amerikane, pikërisht në mes të asaj që duhet të kishte qenë orari i garave të F1, ka bërë që gara të afrohet në kohë.

Organizatorët bëjnë me dije se gara e Çmimit të Madh të Miamit do të fillojë sot në orën 19:00 me atë shqiptare.

"Pas diskutimeve midis FIA-s, FOM-it dhe promovuesit të Çmimit të Madh të Miamit, është marrë vendimi për të ndryshuar fillimin e Çmimit të Madh të Miamit të së dielës në orën 13:00 sipas asaj lokale (ora 19:00 sipas kohës shqiptare) në dritën e parashikimeve të motit që tregojnë shi të rrëmbyeshëm në fund të pasdites, afër kohës së fillimit të planifikuar fillimisht", bën me dije Formula 1.