Mes emrave të përfshirë në qendër të hetimit të ri për të shtënat me armë që ndodhën ditët e fundit pranë parkut në rrugën Ugo Iarussi, në Foggia, figuron edhe emri i Erjon Rametës, i njohur si “Antonio shqiptari”. Shqiptari 37-vjeçar, i arrestuar së bashku me një bashkëmoshatar nga Foggia, i quajtur Basto, nën akuzën për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje, është një emër tashmë i njohur për hetuesit për një sërë precedentësh që lidhen me armë, atentate dhe ambiente të krimit të organizuar.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, mbrëmjen e 10 majit të kaluar, 37-vjeçari dyshohet se ishte përfshirë në sherrin e dhunshëm që përfundoi me shkëmbim zjarri brenda parkut të rrugës Iarussi, në një zonë të mbushur me familje, gra dhe fëmijë të tmerruar nga ikja e menjëhershme. Dy persona mbetën të plagosur në gjymtyrët e poshtme.

Arrestimi pas arratisjes në park

Ushtarakët ndërhynë fillimisht pranë parkingut të Penny Market në rrugën San Severo, pas sinjalizimit nga një i huaj që pretendonte se kishte marrë kërcënime me vdekje nga një i njohur. Sapo mbërritën në vendngjarje, karabinierët dëgjuan qartë të shtënat që vinin nga parku publik aty pranë.

Rameta u ndalua rreth dyzet metra larg vendit të të shtënave, ndërsa i dyshuari i dytë u ndoq dhe u arrestua pak më vonë edhe falë dëshmive të disa personave të pranishëm. Gjatë kontrollit në vendngjarje u sekuestruan dy pistoleta me numër serial të fshirë, të cilat dyshohet se ishin armët e përdorura gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Gjykatësi për hetimet paraprake më pas konfirmoi arrestimet, duke vendosur për të dy masën e sigurisë “arrest me burg”.

Precedenti i arrestimit në mëngjes me pistoletë

Emri i Rametës është shfaqur disa herë në aktet gjyqësore të viteve të fundit. Në korrik 2025, 37-vjeçari u arrestua së bashku me 20-vjeçarin nga Foggia, Leonardo Russo, pas një ndjekjeje në rrugët e qytetit që përfundoi me gjetjen e një pistolete “Beretta” të kalibrit 9, të braktisur në një ndërtesë në qendër të qytetit.

Të dy u ndaluan nga policia rreth orës 7 të mëngjesit, ndërsa udhëtonin me një skuter T-Max në rrugën Guido D’Orso. Pasi parkuan mjetin në rrugën La Piçirella, tentuan të arratiseshin në këmbë brenda një pallati. Gjatë ndjekjes, njëri prej tyre hodhi armën, e cila më pas u gjet nga agjentët.

Për atë ngjarje, Rameta u dënua me procedurë të shkurtuar me 3 vite e 4 muaj burg. Hetuesit nënvizonin se mbetet ende pa përgjigje arsyeja pse dy persona me precedentë kaq të rëndë lëviznin të armatosur në agim në rrugët e Foggias.

Atentatet me eksploziv të rënduara nga metoda mafioze

E kaluara kriminale e 37-vjeçarit lidhet sidomos me atentatet me eksploziv që goditën Foggian mes viteve 2019 dhe 2020. Rameta u arrestua në prill 2020 dhe më pas u dënua me 6 vite burg për dy atentate të rënduara nga metodat mafioze.

Mes episodeve të akuzuara përfshihej shpërthimi i një bombe para pub-it Poseidon në nëntor 2019 dhe atentati i janarit 2020 ndaj qendrës ditore për të moshuarit “Il sorriso di Stefano” të grupit Telesforo-Vigilante.

Hetuesit e kanë përshkruar disa herë si person të afërt me ambientet e “Società foggiana”, element që e bën edhe më delikate çështjen e re të të shtënave në rrugën Iarussi, megjithëse thuhet se nuk ka lidhje direkte me ambientet e krimit të organizuar.

Hetimet për të shtënat

Çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake dhe të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar. Hetuesit po përpiqen të sqarojnë motivin e konfliktit që degradoi në shkëmbim zjarri dhe marrëdhëniet mes personave të përfshirë.

Ndërkohë, edhe një episod tjetër me armë në qendër të qytetit dhe në një zonë të frekuentuar nga familje ka rikthyer alarmin për sigurinë në kryeqendrën e Daunias./Immediato 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.