Daniele Sartini, 29-vjeçari që vrau shqiptarin Denaldo Maxhallaku në Longiano të Italisë, është rrëfyer plotësisht para hetuesve. Ai ka përshkruar detajet e vrasjes së bojaxhiut 31-vjeçar nga Gatteo, trupi i të cilit u gjet dy ditë më parë në një pus në zonën e Cesena-s.

 “Daniele Sartini ka dhënë një rrëfim të plotë, i cili sqaron çdo aspekt të ngjarjes. Tani presim vendimin e parë të gjyqtarit të hetimeve paraprake dhe zhvillimin e mëtejshëm të çështjes. Ai e fshehu kufomën që të mos gjendej dhe u përpoq të zhdukte çdo provë që mund ta lidhte me zhdukjen e këtij personi”, thotë prokurori.

Sartini ka pranuar autorësinë e krimit dhe aktualisht ndodhet në burgun e Forlì-t, ku është arrestuar nga policia. Ai akuzohet për vrasje dhe fshehje të kufomës.

I riu u dorëzua pas një seance të gjatë marrjeje në pyetje.

“Kam qenë unë”, pranoi ai. “Kam pasur frikë për veten dhe familjen time, jam ndier i kërcënuar”, thuhet se është shprehur ai në procesverbalin e marrjes në pyetje.

Vrasja e 7 tetorit: borxhi i drogës, konflikti dhe të shtënat me armë

Krimi ka ndodhur më 7 tetor, 21 ditë përpara se të zbulohej trupi i pajetë.

Sartini, përdorues i lëndëve narkotike, kishte një borxh prej 1.500 eurosh për drogë ndaj viktimës. Atë mbrëmje, të dy kishin lënë një takim për të diskutuar lidhur me borxhin e drogës, përpara banesës së Sartinit në Longiano.

Viktima kërkonte me ngulm paratë e tij. 29-vjeçari, i cili në atë moment ishte vetëm në shtëpi (jetonte me të atin), pas një debati kishte hyrë brenda dhe kishte marrë pistoletën, një Glock të kalibrit 40.

Ai qëlloi tri herë në drejtim të gjoksit të Maxhallakut, i cili ndërroi jetë në vend.

Më pas, thuhet se e ka vendosur trupin e pajetë në makinë dhe e ka fshehur në një pus, një lloj grope prej betoni që shërben për kullimin e ujërave, pranë fushave.

Pas kësaj, i ka vënë flakën makinës së bojaxhiut, me qëllim që të zhdukte gjurmët.

Autopsia do të kryhet gjatë ditëve të ardhshme.

Hetimet: kthesa vendimtare erdhi nga regjistrat e telefonatave

Hetimet bënë të mundur identifikimin e Sartinit, pas analizimit të regjistrave të telefonatave dhe konstatimit se pikërisht 29-vjeçari kishte qenë personi i fundit që kishte pasur kontakte me viktimën.

Bashkëshortja e Maxhallakut kishte bërë edhe kallëzim për zhdukjen e tij. 29-vjeçarit nga Longiano iu sekuestruan pistoleta dhe veshjet.