Një event botëror i cili do të sjellë në Itali mbi 3.500 atletë nga më shumë se 90 Vende, të angazhuar në 304 gara e që do të ndiqet nga rreth tre miliardë njerëz. Në Itali, sot, në ceremoninë e çeljes së eventit do të jenë të pranishëm 50 Kryetarë Shtetesh dhe Qeverish të ardhur nga e gjithë bota.

Është e qartë se Milano-Cortina 2026 nuk do të jetë vetëm sport por, mbi të gjitha, zhvillim, inovacion, vizion i së ardhmes. Me një ndikim ekonomik të parashikuar prej 5,3 miliardë euro, Lojërat olimpike do të lënë një trashëgimi në infrastrukturë dhe zhvillim të territorit. Do të jenë, gjithashtu, një mjet i fuqishëm soft power-i që cili do të shërbejë për ta ngritur më lart Italinë në arenën ndërkombëtare.

Për herë të parë në histori, Lojërat olimpike zhvillohen në dy qytete simbol, Milano dhe Cortina, dhe një mori territoresh – Lombardi, Veneto dhe Trentino-Alto Adige – të bashkuara nga një vizion i qëndrueshëm dhe gjithpërfshirës. Dhe ky është sinjali i parë “politik”.

Lojërat Dimërore kanë efektet e tyre, efekte që shkojnë përtej përmasave sportive duke ndikuar në infrastrukturë, në zhvillimin e territorit, në linjat e prodhimit dhe pozicionimin ndërkombëtar të Italisë.

Në organizimin e Lojërave Olimpike janë përfshirë rreth 18.000 vullnetarë dhe një Task Force-e diplomatike e dedikuar, nëpunës të rinj, institucione dhe komunitete vendore. Një angazhim që konfirmon aftësinë e Italisë për të organizuar me sukses evente të tilla në shkallë botërore, gjë të cilën e kemi parë edhe me Jubileun që sapo është mbyllur.

STRATEGJI E INTEGRUAR

Ne si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar e kemi shoqëruar afrimin e Lojërave Olimpike me një strategji të integruar, strategji të nisur dy vite më parë me “Zyrën për Diplomacinë Sportive” dhe të çuar përpara njëpërmjet një road show ndërkombëtar në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi, duke përfshirë atletë, media dhe sipërmarrje.

Organizimi i lojërave synon të nxjerrë në pah territore dhe komunitete por edhe të forcojë imazhin e Italisë si vend novator, i qëndrueshëm dhe mikpritës. Lojërat Olimpike kanë qenë protagoniste të një sërë nismash, në Expo Osaka 2025, në Business Forum-et jashtë Vendit si edhe në Ditën kushtuar Sportit Italian në Botë.

Ndaj dhe Italia ka zgjedhur të investojë me bindje në diplomacinë sportive duke e shndërruar atë në një element strukturor të veprimtarisë së saj ndërkombëtare. Por Lojërat Olimpike mbartin edhe vlera si konkurrenca e ndershme dhe paqësore midis të rinjve nga e gjithë bota. Ato kanë qenë dhe do të jenë përherë simbole universale të paqes, respektit dhe gjithpërfshirjes. Në një kontekst ndërkombëtar të shënuar nga konflikte, sporti vijon të jetë një hapësirë e besueshme dialogu. Olimpiadat kanë lindur në emër të paqes. Italia, duke promovuar Rezolutën e OKB-së mbi armëpushimin olimpik, të mbështetur edhe nga Ati i Shenjtë dhe Presidenti i Republikës, ka kërkuar që sporti të mund të ulë armët.

 

Vetëm gjatë vitit të fundit janë regjistruar më shumë se 233.000 viktima dhe më shumë se 123 milionë të pastrehë si pasojë e konflikteve të armatosura. Italia vijon të luajë rol parësor në rrafshin diplomatik e atë humanitar, duke u angazhuar për paqen në Ukrainë dhe në Gaza, pa lënë pas dore konflikte më pak të dukshme, si në Sudan ku miliona njerëz detyrohen të largohen nga vendi i tyre. Nëpërmjet nismave humanitare si Food for Gaza dhe Italy for Sudan, Vendi ynë luan rol kryesor në mbrojtjen e popullatës civile, veçanërisht fëmijëve, ata të cilët vuajnë më shumë pasojat e luftës.

RAST UNIK

Ja përse “Milano-Cortina 2026” përbëjnë një rast unik për të dëshmuar atë çka jemi e atë në të cilën besojmë. Duam t’i flasim botës, nëpërmjet këtyre Lojërave Olimpike, për Italinë si ndërtuese e paqes, e zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. “Lojërat tona të Paqes” do të jenë një angazhim i përbashkët.