Mbrëmjen e sotme në Pallatin e Brigadave po zhvillohet ceremonia e organizuar nga Bashkia e Tiranës me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë.
Nënkryetarja e Bashkisë, Anuela Ristani, tashmë e komanduar në krye të bashkisë, tha se pavarësisht çfarë ndodh, ajo që del në pah është puna dhe e vërteta. Ristani tha se vizioni i kryebashkiakut Veliaj për të bërë Tiranën të shkëlqejë edhe më fort, do të vijojë.
“Tirana është më e madhe se ne; është më e madhe se sa puna jonë. Kushdo qofshim ne dhe çfarëdo që të bëjmë është puna ajo që ngelet pas; është puna në fund ajo që del në pah dhe në fund del edhe diçka tjetër në pah. E vërteta! Detyra jonë këtu sot si punonjës të Bashkisë Tiranë dhe gjithë stafit të Bashkisë Tiranë që ndan dhe ka ndarë me ne vizionin dhe misionin e kësaj skuadre është të vijojmë ta bëjmë Tiranën të shkëlqejë edhe më fort, shumë herë edhe më fort. Jemi të bindur që me ndihmën e kryeministrit për të cilin jemi shumë mirënjohës por edhe me ndihmën e qytetarëve të Tiranës, bashkëpunëtorëve, atyre që e duan Tiranën po aq sa e duam ne Tiranën, ne do e rimarrim sërish ritmin e humbur dhe goditja e befasishme nuk do të na hutojë por do të na motivojë akoma më shumë”, u shpreh Ristani.
Komente











