Kompania e vetme e mbetur në garë për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano u tërhoq nga gara me argumentin se i janë rritur kostot. Në një konferenecë për shtyp, kryeministri Edi Rama tha se deri më tani nuk ka asnjë të dhënë që kompania të ketë qenë nën ndonjë presion, por deklaratat e Ramës janë të forta kur thotë se i gjithë procesi është zhvilluar nën presion nga faktorë të tjerë të painteresuar që ai port të jetë një histori suksesi.

“Ka ndodhur një koicidencë e pashmangshme, që në momentin e fundit kompania është tërhequr duke iu referuar situatës së krizës dhe natyrisht që duke qenë se oferta financiare do të ishte e lidhur me tavanin që ka vendosur studimi nga kompania më e madhe e botës.

Argumenti i kompanisë për kostot financiare tingëlloi jo bindës pasi konsorciumi kishte kërkuar në janar zgjatje të afatit deri më 9 mars për të paraqitur një ofertë teknike dhe tregtare gjithëpërfshirëse. 

Pak ditë më parë, një email dërguar autoriteteve shqiptare, përfshirë kryeministrin Rama, nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Grant Van Cleve, ngrinte shqetësime serioze lidhur me përmasat dhe kapacitetet përpunuese të portit të ri dhe kërkonte kryeministri Edi Rama bllokimin e procedurës së tenderimit. Megjithatë, Rama tha se nuk ka pasur një presion nga SHBA apo BE, por nga faktorë të painteresuar, të cilët refuzoi t'i evidentonte me emra.

Nuk kemi të dhëna që kompania është ndodhur nën ndonjë presion, por i gjithë procesi është zhvilluar nën presion. Jo nën presionin e SHBA siç thuhet. S’ka pasur asnjë shqetësim as nga SHBA, as nga BE. Por ka pasur një presion nga faktorë të tjerë, të painteresuar që ai port të jetë një histori suksesi. Që nga A-ja, kur disa thonë për çfarë duhet një port i ri se ne kemi portin tonë, atë kënetën në zemër të Durrësit, dhe e lidhnin idenë e Portit të Ri me shitjen e atdheut në duart e Arabëve, e vërteta është që përtej injorancës, qysh në krye të herës ka pasur forca të interesuara që të mos ecte para projekti i portit të ri. Pse? Për një arsye që cilido që do ta kuptojë, e kupton pa ndonjë mundim të madh. Porti ekzistues s’ka kapacitet për të qenë nyja strategjike e korridorit VIII. Edhe sikur ta marrësh dhe ta zbukurosh, është i papërshtatshëm për të qenë nyjë logjistike e korridorit VIII. Një nyje logjistike në mes të qytetit nuk mund të ekzistojë”, tha Rama.

Ndërtimi i Portit të ri ishte parashikuar në dy faza. Në ndryshim nga Porti i Durrësit, ai ofronte një thellësi më të madhe të ujërave në basen, duke lejuar ankorimin e anijeve më të mëdha dhe me një ngarkesë më të madhe. Vetëm në fazën e parë parashikohej përpunimi i 500 mijë kontejnerëve, nga afro 180 mijë që përpunohen tani  në Portin aktual.

Kryeministri tha se po ndërtohet skenari për një projekt tjetër, por pa dhënë detaje pasi u shpreh se do të flasë kur gjërat të jenë gati. 

 "Ato që fërkojnë duart se mendojnë që ia dolën, e kanë gabim se thjesht kanë hapur një rrugë tjetër që nuk e bllokojnë dot më. Në të njëjtën periudhë kohe ne do të bëjmë hapin që kemi qenë në pamundësi për ta bërë deri tani. Nuk them më shumë se ndërkohë jemi duke përgatitur hapin tjetër. Të gjithë ata që kanë menduar se do ta nënshtrojnë qeverinë, qofshin forca të brendshme apo të jashtme, do të mbeten me gishtin që do të dëshirojnë të zgjidhin vetë në gojë", u shpreh kryeministri.

Ai tha se forcimi i Shqipërisë nuk mirëpritet nga shumë vende.

"Nëse mendoni që porti i ri është një port që ata që i kanë të lidhura interesat me rrugët e trafiqeve mezi po e presin, mendoni gabim. Përkundrazi, nuk kanë asnjë arsye ta mirëpresin”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Vendimi për Ballukun, Rama: Gënjeshtër se dëmton integrimin, debate konstruktive me disa ndërkombëtarë, por asnjë presion! Zero frenim për rrugën drejt BE


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:00
Anulimi i garës për portin në Porto Romano, Rama: Kush mendon se nënshtron qeverinë, do të mbesë me gishtin që zgjedh vetë në gojë

 

Kryeministri Rama tha se kushdo që mendoi se ia doli të anulojë ndërtimin e tregut të ri tregtar në Porto Romano, gabon dhe se po vijojnë për gatitjet për të hedhur hapin e radhës. Rama tha gjithashtu se kush mendon se nënshtron qeverinë, do të mbesë me gishtin që zgjedh vetë në gojë.

“Gara është organizuar 2 herë dhe ka pasur interes. Herën e parë kriteret kanë qenë të forta dhe këto nuk duhet të thonë që ska kompani që nuk i plotësojnë, por që në se nuk përgatit në kohë dhe si duhet, nuk kualifikohesh. Herën e parë gara është anuluar, këtë herë ndodh kjo koincidencë fatkeqe. Kompania ka shkruar tërheqjen e saj me argumentin e krizës së çmimeve që nëse gjerat nuk kthehen në normalitet e bën situatën të vështirë. Nuk e kemi fare informacioni që ka pasur ndonjë komponent tjetër. Ato që fërkojnë duar se mendojnë që ja dolën, e kanë gabim se thjeshtë kanë haur një rrugë tjetër që nuk e bllokojnë dot më. Në të njëjtën periudhë kohe ne do të bëjmë hapin që kemi qenë në pamundësi për ta bërë deri tani. Nuk hem më shumë se ndërkohë jemi duke përgatitur hapin tjetër. Të gjithë ata që kanë menduar se do ta nënshtrojnë qeverinë, qofshin forca të brendshme apo të jashtme, do të mbeten me gishtin që do të dëshirojnë të zgjidhin vetë në gojë”, tha Rama.

Ora 12:52
Tenderi për Porto Romanon, Rama: Shqipëria po bëhet më e fortë, ka vende që s’e mirëpresin

 

Anulimi i tenderit të Porto Romanos erdhi si presion nga faktorë të painteresuar që ai të ishte një histori suksesi, tha Rama në konferencën për shtyp. Kryeministri u shpreh se forcimi i Shqipërisë nuk është i mirëpritur nga shumë vende.

“Nëse prisni që shqiptarët mund të bëhen më të fortë, mund ta mendoni, por ka një sërë vendesh që nuk e mirëpresin këtë. Nuk ka lidhje me armiqësira të natyrës gjeopolitike, vetëm, ka lidhje edhe me interesa tregtare të vendeve. Nëse mendoni që porti i ri është një port që ata që i kanë të lidhura interesat me rrugët e trafiqeve mezi po e presin, mendoni gabim. Përkundrazi, nuk kanë asnjë arsye ta mirëpresin”, tha Rama.