GJKKO ka rrëzuar kërkesën e deputetes Belinda Balluku për shuarjen e masës “pezullim nga detyra”, e cila qëndron në fuqi edhe pse ajo është tashmë e shkarkuar.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Erion Çela, i cili më herët ka firmosur masat e sigurisë ndaj saj dhe dy ish vartësve të saj Erald Elezi dhe Gentian Gjyli. Balluku e dorëzoi kërkesën në GJKKO me argumentin se nuk është më në detyrë.

Gjykata e Posaçme firmosi vendimin për ‘pezullim nga detyra’ për Belinda Ballukun më 19 nëntor, në kohën kur Balluku mbante funksionin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo masë u la në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit, megjithëse më 26 shkurt, kryeministri Edi Rama lajmëroi shkarkimin e saj nga detyra.

Belinda Balluku akuzohet për veprën penale 'shkelje e barazisë në tendera' dhe është marrë e pandehur për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ndërsa po hetohet për 7 lotet e Unazës së Madhe, si dhe dyshohet për 3 procedura të tjera tenderuese.