Kryeministri Rama tha në konferencën për shtyp se nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të presë veton për të hyrë në Europë, por të jetë proaktive. Ai tha se duhet fillimisht të hyjë, ndërsa s’munguan as ca nota ironie për interpretimet e deklaratave të ambasadave pas rrëzimit të kërkesës së SPAK në Kuvend për arrestimin e Belinda Ballukut.
“Ne nuk kemi asnjë arsye që të presim dhe s’kemi asnjë arsye që të trembemi, ne duhet të jemi proaktivë sepse është shumë e rëndësishme çfarë mendojnë vendet e reja, jo të gjithë mendojnë si unë, në vendet që duan të hyjnë, ky është fakt. Disa thonë t’i marrësh të gjitha, problemi është a i merr dot a jo. Ne njëherë duhet të hyjmë atje. Çfarë qameti kemi ne që s’kemi veton? Këtu çohet një ambasdë bën një deklaratë dhe tundet gjithë Shqipëria nga tenxheret që bëjnë sikur u çua Zoti i madh dhe foli”, tha Rama.
“Çfarë shqetësimi ka këtu?”, pyeti kryeministri duke ironizuar edhe shqetësimet e opozitës që i quajti “molotovarë që iu prish ëndrra”.
“U shqetësuan molotovarët se u prish ëndrra e madhe e tyre duke marrë zvarrë ca të verbër në rrugë për të nxjerrë fotografi si digjen kazanët e Tiranës, si gjuhet me molotovë dhe si po bllokohet këtu lufta kundër korrupsionit”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Vendimi për Ballukun, Rama: Gënjeshtër se dëmton integrimin, debate konstruktive me disa ndërkombëtarë, por asnjë presion! Zero frenim për rrugën drejt BE












